
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi Konventën Kombëtare, forumin më
te lartë i kësaj force politike. Ilir Meta renditi një sërë kontributesh
që LSI ka dhene keto 3 vjet në qeverisjen e vendit, ndersa apeloi për
bashkepunim mes forcave politike.
“Ne duam një ritëm të ri të avancimit të kësaj axhende. Sot tre vite më pas, jemi më pranë se kurrë të vendimit të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, por na duhet vetëm të votojmë dy ligje dhe një rregullore, që janë të standardeve europiane dhe që presin në sirtaret e Kuvendit për muaj dhe për javë të tëra. Eshtë një situatë absurde, e prodhuar nga politika e konfliktit dhe krijimit të mureve ndarës”, tha Meta.
Bashkëqeverisjen me demokratët Ilir Meta e quajti një sukses.
“Ne gjatë këtyre tetë viteve kemi treguar se duam dhe dimë të bashkëpunojmë. E kemi treguar këtë me Partinë Socialiste, po e tregojmë me Partinë Demokratike, e kemi treguar me PDIU-në, me PBDNJ-në dhe me të gjitha forcat e tjera politike në vend, sepse ne besojme që vetëm me bashkëpunim, vetëm duke lënë mënjanë konfliktet dhe ndasitë dhe duke u përqëndruar tek interesat e qytetarit do ta çojmë Shqipërinë përpara, gjithnjë më pranë standardeve ekonomike, politike, shoqërore europiane”, tha Meta.
Nga konventa e LSI Meta anoncoi thellimin e bashkëpunimit me PDIU-në e Shpëtim Idrizit për të zgjidhur përfundimisht çështjen çame, ndersa per qendrimin e kesaj partie pas zgjedhjeve ne 2013-s, Meta tha: “Nuk mund të rri pa u prononcuar për një pyetje që ju bëhet të gjithëve dhe që na bëhet të gjithëve, se çfarë do të bëjë LSI-ja në qershor të vitit 2013. Se c’do të bëjë LSI-ja në qershor të vitit 2013, ky nuk do të jetë një vendim as i Ilir Metës, as i forumeve, por ky do të jetë një vendim që do të merret në kohën e duhur, pikërisht nga Konventa, nga delegatët e saj”.
Të ftuar në Konventën Kombëtare dyditore të LSI-së janë e kryetarët e partive kryesore shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Top Channel