Kryetarja e komisionit të medias dhe arsimit, Valentina Leskaj ka theksuar se qeveria nuk ka ende një program të përcaktuar për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Sipas saj, edhe pse na ndajnë pak javë nga data e shpalljes së Pavarësisë, qeveria nuk ka një kalendar.
“Po vjen 28 nëntori dhe ne nuk kemi një program dhe një buxhet të përcaktuar që duhet të ishin gati 1 vit para, të miratuar nga qeveria, që të mos kishim organizime spontane. Gjithashtu, ka një qasje negative ndaj figurave të pavarësisë dhe po ashtu një qasje gjeografike negative me Vlorën, ku është ngritur flamuri”, ka deklaruar Leskaj.
Zonja Leskaj thekson se bashkia e Vlorës po lihet qëllimisht jashtë axhendës zyrtare të qeverisë për festime, e cila në këtë 100-vjetor po përpiqet të ngrejë figura të caktuara historike dhe të ulë figura të rëndësishme si ajo e Ismail Qemalit.
“Në Vlorë janë bllokuar punimet dhe nuk është vetëm çështja e buxhetit, për të cilën kryetari i bashkisë ka bërë përpjekje maksimale, duke ftuar biznesmenët që të kontribuojnë për festën. Sjellja ndaj Vlorës tregon se 100-vjetori po përpiqet të jetë në qendër të interesave të ditës”, ka thënë Leskaj.
Në këtë 100-vjetor përgatitjet janë spontane dhe nuk i ngjajnë aspak, tha zonja Leskaj, organizimeve të mëparshme që janë kryer në 25-vjetor apo në 50-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Top Channel