
Kryeministri serb, Ivica Daçiç hodhi poshtë kritikat për mbajtjen sekret të platformës së bisedimeve me Kosovën duke argumentuar se kjo platformë nuk është sekret, por se mendonte që publikimi i saj nuk është i favorshëm përsa kohë bisedimet janë në zhvillim.
Kryeministri serb tha se bisedimet do të vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe shprehu besimin se përfundimi i tyre do të mbërrijë brenda mandatit të qeverisë së tij duke gjetur një zgjidhje, sipas tij, të bazuar në interesat legjitime të Serbisë, serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
Daçiç këmbënguli se me këto bisedime Serbia nuk njeh pavarësinë e njëanëshme të Kosovës dhe shprehu frikën se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë dobësohen pozitat e Serbisë në bisedimet dypalëshe.
Bisedimet politike mes Kosovës dhe Serbisë pritet të marrin udhë së shpejti, një sinjal ky i dhënë edhe nga kryeministrat e dy vendeve të takuar para pak ditësh në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton.
Top Channel