Topi për mandatin e Ina Ramës

26/10/2012 18:30

Edhe ish-presidenti Bamir Topi i bashkohet qëndrimit se mandati i Ina Ramës përfundon në majin e vitit që vjen.

Ish-kreu i shtetit, që firmosi ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, thotë se drejtuesit aktual të Akuzës i përfundon mandati kur këto ndryshime kanë hyrë në fuqi.

“Mandati i kryeprokurorit të ri hyn në fuqi me ndryshimet kushtetuese. Veprimet e tjera që bëhen lidhur me këtë çështje janë anti-kushtetuese”, ka thënë Topi.

Me këtë deklaratë ish-presidenti kundërshton dekretin e pritshëm të kreut aktual të shtetit, Bujar Nishani, për ndërprerjen e mandatit të Ina Ramës në nëntor.

Nga qyteteti i Pogradecit, Topi gjithashtu iu përgjigj Nishanit për mospërfshirjen e FRD-së në konsultimet që ka ndërmarrë me partitë parlamentare për datën e zgjedhjeve të përgjithshme. Ai tha se është vetëm reflektim i frikës së partisë e cila zotëron të gjitha pushtetet në vend.

“Fakti që ne nuk jemi thirrur nga presidenti në tryezën e partive nuk na çudit. Mosthirrja në tryezë dëshmon frikën që ata kanë nga partia që ne përfaqësojmë. Por ne kemi eksperiencë të mjaftueshme në politikë dhe do bëjmë të mundur arritjen e rezultateve”, ka deklaruar Topi.

Por, përkundër këtij parashikimi optimist për partinë që drejton, Bamir Topi për herë të parë ka dhënë edhe një parashikim tejet të zymtë për fatin e zgjedhjeve të 2013-ës, nëse kryeministër do të jetë Sali Berisha. “Kam bindjen se me Sali Berishën nuk ka zgjedhje të lira”, ka thënë më tej Topi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA