Rojet bregdetare të Spanjës kanë bërë të ditur se rreth 17 njerëz janë shpëtuar, duke u dërguar në brigjet e Alhucemas.
Një i mbijetuar tha se në varkë kishin hipur mbi 70 emigrantë, ndaj dhe kërkimet në det po vazhdojnë, sipas zyrtarëve. Emigrantët besohen të jenë nga pjesa veriore e Afrikës.
Një avion i rojes bregdetare spanjolle dalloi varkën rreth 18 milje larg bregut maroken, mbrëmjen e së enjtes, që kishte lënë brigjet e Nadorit, Marok, duke u nisur drejt Spanjës.
Gazeta spanjolle “El Pais” njoftoi se alarmin e kishte dhënë një familjar i një prej pasagjerëve mbi varkë. Avioni hodhi një pajisje të ndihmës së shpejtë dhe disa të mbijetuar u ngjitën menjëherë mbi të, sipas medias në fjalë. Të mbijetuarit, 14 burra dhe 3 gra, u kthyen mbrapsht në portin maroken të Alhucemas.
Disa prej tyre kishin nevojë urgjente për ndihmë mjekësore. Korrespondenti i BBC-së në Madrid bëri të ditur se janë me qindra përpjekjet ilegale për të kaluar nga Maroku drejt Spanjës, zakonisht me anë të varkave të thjeshta, por shumica e tyre nuk i mbijetojnë këtij udhëtimi.
Në vitet e fundit, Spanja ka parë një rënie të numrit të emigrantëve afrikanë, që udhëtojnë me varka, që prej kulmimit të tyre në 2008-n, ku numëroheshin 13,425 individë. Emigrantët, që duan t’i largohen varfërisë së Afrikës Perëndimore, rrezikojnë jetët e tyre me varka të hapura dhe amortizuara në gradat e fundit, që rrezikohen nga rrymat e forta detare.
Top Channel