Presidenti serb Tomisllav Nikoliç nga e premtja po qëndron në Maqedoni, ku do të festojë 100-vjetorin e fillimit të Luftrave Ballkanike, ku sipas tij serbët kishin çliruar Kosovën dhe Shkupin nga pushtuesit otomanë.

Nikoliç po ashtu tha se në Maqedoni serbet kanë zhvilluar betejat më të mëdha para një shekulli. Deklaratat nacionaliste Nikoliç i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij maqedonas Gjorgje Ivanov. Vizita e Nikoliç në Shkup është vizita e tij e parë jashtë vendit. Ai tha se kjo nuk është e rastësishme.

“Shfrytëzoj mundësinë që të falenderoj presidentin e Maqedonisë dhe udhëheqësinë e këtij shteti për mundësinë e ofruar që delegacioni serb të shënojë 100-vjetorin e fillimit të Luftërave Ballkanike. Të gjitha betejat e mëdha që ushtria serbe ka udhëhequr gajtë këtyre luftërave janë zhvilluar në territorin e Maqedonisë. Kështu që në të njejtën kohë nga pushtimi otoman janë çliruar Kosova e Metohia edhe Shkupi. Serbia dhe Maqedonia kanë pasur të kaluar të përbashkët dhe kanë një ardhmëri të ngjajshme”, deklaroi Nikoliç.

Për të treguar afërsinë me Maqedoninë, Nikoliç tha se lidhjet e forta mes dy vendeve nuk mund t’i dëmtojë as fakti që Shkupi ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Nga ana e tij, presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov tha se Beogradi dhe Shkupi ballafaqohen me pengesa të ngjajshme në proçesin e integrimit në BE, të cilat sipas tij duhet të tejkalohen me dialog.

“Kemi pengesa në këtë rrugë, por besojmë që të gjitha problemet që ekzistojnë mund të zgjidhen vetëm me dialog. Duhet të bisedohet, pasi kur negociohet gjenden edhe zgjidhje. Në interesin e Maqedonisë është që të ketë bisedime intensive me fqinjin jugor, Greqinë, që është bërë pengesë për Maqedoninë drejt BE-së. Nëse ekziston gatishmëri dhe vullnet, gjithmonë gjenden edhe zgjidhjet”, deklaroi Ivanov.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Nikoliç dhe Ivanov shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit kishtar mes dy vendeve, pasi Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh atë maqedonase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA