Për më pak se një muaj, presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të nxjerrë dy dekrete të rëndësishme. I pari ka të bëjë me dekretimin e datës së zgjedhjeve, për të cilën po kryen konsultime me partitë politike.
Dekreti i dytë do të jetë pak më vonë, por shumë më delikat dhe, në ndryshim nga i pari, pritet të ngjallë debate në skenën politike shqiptare. Bëhet fjalë për dekretin që emëron prokurorin e përgjithshëm.
Burime zyrtare bëjnë të ditur për Top Channel se presidenti Nishani ka krijuar ndërkohë bindjen se mandati i kryeprokurores Ina Rama nuk mund të zgjatet përtej 22 nëntorit, data kur 5 vjet më parë Ina Rama u votua nga Parlamenti për të drejtuar Prokurorinë e Republikës.
Debati nëse Ina Ramës i skadon mandati në nëntor 2012 apo në maj të 2013-ës u soll në qendër të vëmendjes, në mënyrë publike, nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Wolfarth. Pak kohë më parë, pas një takimi me prokuroren e përgjithshme, ai mbrojti tezën se:
“Kjo nuk është një çështje javësh, por një çështje muajsh dhe se deri në majin e 2013-ës, autoritetet duhet të shqetësoheshin për të gjetur një person me integritet që të përballojë siç duhet përgjegjësitë e kryeprokurorit, duke ruajtur pavarësinë e insitucionit”.
Debatet për mandatin e prokurorit të përgjithshëm lidhen me faktin se Ina Rama u emërua në këtë detyrë disa muaj përpara ndryshimeve kushtetuese, ku me konsnesus, demokratet dhe socialistët, përcaktuan një mandat 5-vjeçar për kreun e organit qendror të akuzës.
Deri në kohën e emërimit të Ina Ramës, kryeprokurori kishte mandat të pakufizuar dhe mund të largohej ose me dorëheqje, ose me firmën e presidentit, pas një komisioni hetimor parlamentar.
Deri tani, as Partia Demokratike, as Partia Socialiste nuk kanë deklaruar ndonjë pozicion zyrtar mbi debatin se kur i mbaron mandati prokurores së përgjithshme, Ina Rama.
I pyetur për këtë çështje, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar vetëm se: “ka besim tek presidenti Nishani që me emërimin e prokurorit të ri të përgjithshëm do të respektojë Kushtetutën”.
Dhe, mesa duket, presidenti Bujar Nishani nuk do ta zhgënjejë besimin e kryeministrit, duke konsideruar të skaduar mandatin e Ina Ramës më 22 nëntor dhe duke dekretuar emërimin e prokurorit të përgjithshëm, identikiti i të cilit është ende i panjohur!
Top Channel