
Parlamenti Europian nderoi me çmimin vjetor për të drejtat e njeriut dy aktivistët iranianë, avokaten Nasrin Sotoudeh dhe regjisorin Jafar Panahi, në mirënjohje të luftës së tyre për liri.
“Është një nder i madh për mua t’ju informoj se çmimi Sakharov për Lirinë e Mendimit 2012 i jepet Nasrin Soutoudeh dhe Jafar Panahi nga Irani. Ky është një mesazh solidariteti dhe admirimi ndaj një gruaje dhe një burri që nuk iu përkulën frikës dhe kanosjeve dhe që vendosën të vënë fatin e vendit të tyre para fatit të tyre personal”, deklaroi presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz.
Avokatja për të drejtat e njeriut, Nasrin Sotoudeh ka mbrojtur aktivistët opozitarë të burgosur pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të vitit 2009, mes të cilëve gra dhe fëmijë të dënuar me vdekje. Ajo u arrestua dhe mbahet në burg që prej vitit 2010, me akuzën e propagandës dhe konspiracionit në dëm të sigurisë së shtetit.
Regjisori iranian Jafar Panahi, i çmuar me Kamerën e Artë në Festivalin e Kanës të vitit 1995, u arrestua gjithashtu në vitin 2010, për t’u dënuar me gjashtë vjet burg dhe 20 vjet pezullim për të ushtruar profesionin. Filmat e tij shfaqnin varfërinë dhe vështirësitë e grave dhe fëmijëve në Iran.
Çmimi Sakharov, i cili do të jepet gjatë një ceremonie të veçantë në dhjetor, është një çmim i posaçëm për arritjet në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Me të njëjtin çmim janë vlerësuar në të kaluarën Nelson Mandela, Ibrahim Rugova e Adem Demaçi, apo së fundmi në vitin 2011 aktivistët e Pranverës Arabe.
Pergatiti: Arta Tozaj
Top Channel