Një shtetas britanik, ish-drejtues i një kompanie nafte, është qëlluar për vdekje në periferi të kryeqytetit belg, Bruksel.
Nicholas Mockford, 60 vjeç dhe baba i tre fëmijëve, që punonte për kompaninë “Exxon Mobil”, u sulmua teksa kishte dalë nga një restorant me bashkëshorten e tij.
Ngjarja ka ndodhur më 14 tetor, por atëherë policia belge e mbajti sekret lajmin, i cili u përhap vetëm në ditët e fundit.
Një dëshmitar tha për televizionin belg se ishte përpjekur të sillte në jetë zotin Mockford para se të vinte ambulanca. “Dëgjova një zhurmë, “tak, tak”. Mu duk diçka e çuditshme dhe dola jashtë të shihja”, tregoi dëshmitari për kanalin televiziv VTM.
“Aty ishte një grua e shtrirë në trotuar në anën tjetër të rrugës, që bërtiste “ndihmë, ndihmë”, si dhe një person i shtrirë në tokë, pranë makinës”, tha dëshmitari.
Ngjarja ndodhi kur zoti Mockford kishte dalë nga restoranti italian “Da Marcello”, ku kishte darkuar me të shoqen. Dëshmitarët thanë se në fillim u mendua se atë e kishte shtypur një furgon i bardhë.
Viktima ishte qëlluar dy herë në gjoks dhe në shpatull. Pas marrjes së trupit të tij nga ambulanca, policia gjeti në vendin e ngjarjes katër gëzhoja.
Detektivët në fillim menduan se vrasja kishte ardhur si pasojë e një tentative për t’i vjedhur makinën, pasi dëshmitarët thanë se çifti po udhëtonte drejt automjetit të tyre 4×4.
Megjithahtë, një oficer i policisë belge tha për BBC se vrasja, që ndodhi në lagjen Neder-Over-Heembeek, në veri të Brukselit, është shumë e çuditshme dhe për këtë arsye u ka kaluar hetuesve federalë.
Top Channel