Uragani “Sandy” godet Kubën

25/10/2012 00:00

Stuhija “Sandy” është përforcuar duke u kthyer në një uragan të kategorisë së dytë teksa ka zbarkuar në jug-lindje të Kubës.

Uragani po lëvizte me erëra që kapnin shpejtësinë 183 kilometra në orë, kur zbarkoi në perëndim të Santiago de Kuba, deklaroi Qendra Kombëtare e Uraganëve në SHBA.

Ditën e mërkurë, një person u vra teksa “Sandy” kalonte nëpër Xhamajkë. Ndërkohë, në alarm për uraganin janë ishujt Bahamas dhe Florida, ku fenomeni natyror pritet të jetë në formën e stuhisë tropikale.

QKU paralajmëroi se uragani po sillte shira të dendura që do të shkaktonin përmbytje dhe rrëshqitje toke, sidomos në zonat me terren malor. Autoritetet lokale në Kubë deklaruan se rreth 1700 persona u evakuan në kuadër të masave.

“Nuk mund të lejojmë që të rrezikohet asnjë jetë njeriu. Ne duhet të evakuojmë njerëzit në zonat ku ka gjasa të ketë përmbytje pa humbur kohë”, deklaroi shefi i mbrojtjes civile, Lazaro Esposito.

Ndërkohë, në Xhamajkë, mbi 1 mijë persona u strehuan nëpër kasolle, me banorët që raportonin përhapje të erës, ndërprerje të energjisë elektrike, përmbytje të rrugëve dhe dëme ndaj ndërtesave.

Autoritetet deklaruan se një person, një burrë i moshuar, humbi jetën kur u përplas nga rrëshqitja e tokës teksa përpiqej të arrinte shtëpinë e tij.

Enti i vetëm energjitik i vendit, Jamaica Public Service Company, deklaroi më herët se 70 për qind e klientëve të tij kishin mbetur pa elektricitet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA