Siri, armëpushimi për Bajram

25/10/2012 00:14

Qeveria siriane do të pranojë planin e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakdar Brahimi, për një armëpushim gjatë festës myslimane të Kurban Bajramit, që nis të premten.

Kjo është garancia që vjen nga Rusia, përmes ambasadorit të saj në Kombet e Bashkuara.

 “Kemi të dhëna se qeveria e Sirisë po pranon propozimin e Brahimit. Ne do të dëgjojmë deklaratën e tyre nesër”, tha Vitaly Churkin, ambasador i Rusisë në OKB.

Pas deklaratës së Brahimit, Ministria e Jashtme siriane tha se qeveria po studion propozimin dhe do të shpallë qëndrimin përfundimtar të enjten, ndryshe nga çfarë deklaroi më vonë, Vitali Churkin. Ambasadori rus në OKB nënvizoi se armëpushimi do të vëzhgohet me shumë vëmendje.

“Bashkësia ndërkombëtare do ta ndjekë me shumë vëmendje, por keni të drejtë, nuk është një armëpushim i strukturuar. Është një armëpushim që do të varet nga vullneti i mirë i palëve të përfshira, megjithatë mendoj se sytë e bashkësisë ndërkombëtare do të përqendrohen te Siria kështu, kushdo që do ta shkelë do të përballet me sjelljen e bashkësisë ndërkombëtare”, shtoi Churkin.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit, Gert Rosental, pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura, në lidhje të drejtpërdrejtë nga Egjipti me Lakdar Brahimin, tha se të gjithë anëtarët e mirëpritën inisiativën e tij. Në deklaratën e tyre, ata e cilësuan këtë “si hapin e parë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, në përputhje me rezolutën 2042 dhe 2043 të Këshillit të Sigurimit dhe nënvizon nevojën për tranzicionin politik në Siri, i cili do të çojë në një sistem shumë-partiak, që do të plotësojë aspiratat legjitime të popullit sirian për demokraci, barazi dhe drejtësi pavarësisht besimit të tyre”.

Nga Siria, duke iu referuar raportimeve të mediave, shumica e grupeve opozitare kanë pranuar armëpushimin gjatë festës së Kurban Bajramit. Kryengritësit janë të ndarë. Grupi xhihadist i njohur për kryerjen e disa sulmeve me bomba, “Fronti Al Nusra”, nuk do ta respektojë, ndërsa Ushtria e Lirë Siriane tha se çdo armëpushim i mbikqyrur nga qeveria do të jetë reciprok. Dita e Kurban Bajramit kujton vullnetin e Abrahamit për të sakrifikuar djalin e tij të vetëm, Isak, një provë që dëshmoi besimin e tij ndaj Zotit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA