SHBA-Seul, stërvitje të përbashkët ushtarake

25/10/2012 09:50

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur një seri stërvitjesh të përbashkëta ushtarake, që do të mbyllen të premten më dy nëntor.

Stërvitja, e koduar me emrin “Hoguk”, mbahet çdo vit por këtë herë po realizohet për t’i dhënë një përgjigje hipotezës për sulm të paralajmëruar nga Koreja e Veriut.

Në të njëjtat momente, një motovedetë e Penianit ka kaluar kufirin perëndimor në detin e Verdhë, duke përfunduar në ujërat territoriale koreano-jugore.

Agjencia e lajmeve “Yonhap” ka raportuar se ngjarja ka ndodhur gjatë një aksioni kundër peshkarexhave kineze të pranishme në zonën detare në fjalë.

Javën e kaluar Koreja e Veriut kërcënoi fqinjin jugor me një sulm të përgjithshëm ushtarak, nëse gjatë javës së ardhshme do të vihej në zbatim plani për të lëshuar 200 mijë tullumbace, me mesazhe kundër regjimit përtej kufirit.

“Një sulm i pamëshirshëm ushtarak do të jetë i përligjur pa asnjë paralajmërim, nëse Seuli do të realizojë provokimin e tij të radhës”, shkruhej në një komunikatë të publikuar nga Agjensia e Lajmeve të Koresë, “KCNA”.

Në deklaratën e Penianit specifikohej se zona që do të goditet është qyteti kufitar i Pajus, një pikë e rëndësishme turistike në jug. “Ushtria Popullore e Koresë së Veriut nuk merret asnjëherë me fjalë të kota”, i jepte tone më serioze kërcënimit “KCNA”-ja.

Sipas ekspertëve, ky është kërcënimi më serioz i Penianit në disa vjet. Megjithatë, kërcënimet me luftë janë një retorikë e njohur e regjimit komunist të Kim Jong-un.

Në një deklaratë reagimi, ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Këan-jin, u shpreh se: “vendi është tërësisht i përgatitur dhe në gjendje që të zmbrapsë çdo sulm ushtarak që mund të vijë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA