Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë shprehu “shqetësim të thellë” mbi arrestimin e një aktivisti të opozitës, pasi u rrëmbye në Kiev, sipas të gjitha gjasave, nga autoritetet ruse.
Leonid Razvozzhayev u zhduk të premten në kryeqytetin e Ukrainës, pasi u takua me zyrtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, “UNHCR”-së.
Sipas përkrahësve të tij, ai u rrëmbye nga Shërbimet Sekrete Ruse (FSB).
Megjithatë, Komiteti Rus i Hetimeve, ekuivalentja e Policisë Federale Amerikane (FBI), informoi se Razvozzhayev u dorëzua vullnetarisht tek forcat e rendit dhe pranoi t’i nënshtrohej pyetjeve të hetuesve.
Gjatë këtyre pyetjeve, duket se aktivisti pranoi “vullnetarisht” rolin e tij në një grusht shteti të organizuar nga Gjeorgjia, me synim distabilizimin e fqinjit të saj të madh.
Ndërkohë, një video e publikuar në një faqe të aktivistëve, tregoi një burrë me aparencat e Razvozzhayev që deklaronte se e kishin rrëmbyer në Kiev dhe se kishte pranuar “shumë gjëra” pas dy ditëve torturash çnjerëzore.
Në deklaratën e ambasadës amerikane shkruhej se “Uashingtoni ka shprehur zyrtarisht shqetësimin e tij mbi gjendjen e aktivistit, të arrestuar sipas provave, në mënyrë të paligjshme”.
Nga ana e tij, ministri i Brenshëm i Ukrainës informoi se autoritetet nuk po zhvillojnë hetime, “pasi është e qartë që ai nuk u rrëmbye nga kriminelë të zakonshëm, por prej Shërbimeve Sekrete Ruse”.
Prej kohësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e tyre se Rusia është duke përdorur sistemin e saj ligjor, për të shtypur disidencën politike brenda vendit.
Top Channel