Rusia synon zgjerimin e kufijve

25/10/2012 14:40

Rusia, vendi më i madh në botë, kërkon të zgjerohet edhe më tej për të shfrytëzuar më shumë rezervat arktike të pasura me hidrokarbure.

Ekspeditat gjeologjike të kryera nga Moska në Arktik nga viti 2010 në 2012 do të mundësojnë zgjerimin nga ana ruse të platformës kontinentale arktike pre 1.2 milion kilometrash katrorë.

Lajmin e ka bërë të ditur Aleksandr Popov, drejtor i agjencisë federale ruse për shfrytëzimin e nëntokës, Rosnedra, për agjencinë “Ria Novosti”.

Kërkimet do t’i mundësojnë Rusisë të mbështesë kërkesën për të zgjeruar kufijtë e saj arktikë përpara komisionit të OKB-së mbi kufijtë e platformës kontinentale.

Organizata është i vetmi institucion ndërkombëtar që gëzon të drejtën për të caktuar apo për të zgjeruar kufijtë kombëtarë të një vendi.

Nëse kërkesa e Moskës pranohet, atëherë ajo do të mund të zgjerojë edhe të drejtat e saj për të shfrytëzuar burimet natyrore, mes të cilave rezervat e pasura me gaz dhe naftë, deri në 350 milje detare nga bregu, kundrejt 200 miljeve që janë aktualisht.

Synimi i Rusisë është të marrë nën kontroll thesarin e hidrokarbureve që do të mund të arrihet me teknologjitë e reja dhe sidomos me shkrirjen e akujve për shkak të ngrohjes globale.

Një pasuri që llogaritet të përbëjë 13 për qind të rezervave botërore ende të pazbuluara me naftë dhe 30 për qind me gaz, sipas institutit gjeologjik amerikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA