
Besimtarët myslimanë në Maqedoni sot kremtojnë Kurban Bajramin. Festa
filloi me faljen e namazit të Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë e
vendit. Manifestimi qendror i faljes u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës
në Shkup.
Krahas faljes së namazit, besimtarët kanë uruar njëri-tjetrin që kjo festë të sjellë harmoni dhe gëzim mes tyre, ndërsa imamët e në të gjitha xhamitë kanë apeluar për paqe dhe kanë përcjellur mesazhe përgëzimi, me shpresë që besimtarët të reflektojnë ndjenjën e humanitetit, solidaritetit e bamirësisë.
“Shfrytëzoj rastin në këtë moment që shoqërisë tonë dhe gjithë myslimanëve në sipërfaqen e tokës tua uroj festën e Kurban Bajramit, duke shpresuar që Allahu këtë ditë ta bekoj dhe kjo ditë të kaloje në mënyrë dinjitoze dhe siç parashikohet në bazë të mësimeve islame me hare dhe gëzim, duke i nderuar të gjitha ato familje dhe njerëz që kanë nevojë që kjo ditë të shërbeje për gëzime”, thotë Fahrudin Ebibi, dekan i Fakultetit Teologjik në Shkup.
Siç është zakon, pas faljes nëpër xhami besimtarët kanë filluar vizitat tek të afërmit. Me rastin e kësaj feste, krerët shtetëror kanë uruar myslimanët.Në mënyrë tradicionale, politikanët shqiptarë kanë vizituar Bashkësinë Fetare Islame në Shkup me ç’rast i kanë shprehur urimet e tyre me rastin e festës së Kurban Bajramit gjithë Komunitetit Mysliman në Maqedoni.
Top Channel