Kurban Bajrami, politikanët urojnë besimtarët

25/10/2012 00:00

Krerët më të lartë të shtetit, diplomatë dhe politikanë kanë vizituar
seline e Komunitetit Mysliman duke uruar për festën e Kurban Bajramit.

“Kjo festë është një pjesë integrale e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë,- thuhet në mesazhin e urimit të presidenitit Bujar Nishani ku, me tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që na karakterizon në shekuj, thekson kreu i shtetit – ne i përcjellim njëri-tjetrit urimet më të ngrohta e të ndjera për mbarësi, mirësi e begati në familje, në jetë”.

Gjatë bashkëbisedimit me Kreun e Myslimanëve shqiptarë Selim Muca, mësohet se kryeministri Berisha pasi ka vlerësuar lart rolin e klerit mysliman, shprehu mendimin se predikimet e fesë islame të kryhen akoma edhe më shumë në gjuhen shqipe, për t’i dhënë një përqasje akoma edhe më të madhe, asaj që Kryeministri e përshkroi si islami europian.

“Duke uruar gëzuar këtë ditë, shpreh nderimin tim më të madh për udhëheqësit shpirtërorë të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe të të gjitha komuniteteve të tjera shqiptare. Po konsolidohet gjithnjë e më shumë, traditën, trashëgiminë, visarin më të cmuar të kombit shqiptar. Uroj që Kurban Bajramin tjetër ta festojmë më mirë, më të gëzuar, me një fitore të re të merituar”, tha Berisha.

“Eshtë ndoshta festa që ka gëzimin më të madh brenda vetes dhe në këtë 100-vjetor, kjo festë sigurisht që gëzimin e ka të veçantë, unik, të jashtëzakonshëm. Duke patur në thelbin e saj sakrificën dhe humanizmin, natyrisht një mendim i veçantë shkon tek të gjithë ata shqiptarë që e deshën aq shumë këtë vend, që sakrifikuan për këtë vend dhe që bënë të mundur 100 vite më parë që vendi ynë të shpallej i pavarur dhe i lirë”, tha kryetarja e Kuvendit. Jozefina Topalli.

“Ju uroj të gjithëve gëzuar dhe posaçërisht të gjithë atyre që sot nuk ndihen mirë, që janë në spitale, që kanë të afërmit dhe të dashurit në spitale, të gjithë atyre që janë në fundin e muajit dhe nuk ndihen mirë për shkak se s’kanë të ardhura të mjaftueshme dhe kështu janë shumica. Uroj me gjithë zemër që nesër të jetë më mirë dhe padyshim do të jetë më mirë”, tha Rama.

“Unë besoj që mesazhi më i mirë është që sot dhe për të gjithë ditët që vijnë pas ditës së sotme logjika, arsyeja, toleranca të dominojnë mbi injorancën, mbi arrogancën, mbi mungesën e vullnetit. Unë do të doja që kjo ditë të sjellë për shqiptarët kudo që jetojnë vetëm mirësi, begati, lumturi dhe harmoni”, tha Topi.

Basha: Xhamia e re, u zgjidh problemi i pronësisë

Gjatë faljes së Kurban Bajramit, myftiu i Tiranës shprehu nevojën e ndërtimit sa më parë të xhamisë së re në Tiranë, pasi siç tha ai, kjo është një kërkesë që daton nga viti 1939.

Ishte kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i cili krahas urimeve të rastit u shpreh se kishte një lajm të mirë që lidhet me bërjen realitet të dëshirës së kahershme të myslimanëve kryeqytetas për të patur një xhami të re.

“Me kënaqësi dua të ndaj me besimtarët myslimanë lajmin se përfundimisht është zgjidhur edhe çështja e pronësisë se terrenit, ku do të ndërtohet xhamia e re. Pas faljes së afro 3 mijë metrave katrorë nga ana e shtetit shqiptar, më në fund është arritur pas 6 muaj negociatash edhe një marrëveshje me pronarët privatë të truallit dhe i është hapur rruga procesit të ndërtimit të xhamisë së re. Presim që brenda javës së ardhshme projektuesit të sjellin konceptet e para për ndërtimin e xhamisë së re, në mënyrë që ne të nisim sa më shpejt nga puna”, tha Basha.

Top Channel