“Harta e Europës Juglindore, është e përmbyllur”. Një mesazh të tillë e
ka shprehur kryediplomati britanik, William Hague, i cili për herë të
parë vizitoi Kosovën, pas takimit që ka zhvilluar mëngjesin e së enjtes
me kryeministrin, Hashim Thaçi.

Hague, ka thënë se këtë gjë ia ka bërë të qartë Serbisë edhe para dy vitesh kur bëri një vizitë atje, e ku do të qëndrojë edhe gjatë së enjtes, pas vizitës në Kosovë.

“Ne e kemi bërë të qartë se çfare duhet të bëjë Serbia për të marrë statusin e kandidatit. Unë kam qenë në Serbi para dy vitesh së bashku me kolegun tim gjerman, dhe atje e thashë se harta e Europës Juglindore është e përmbyllur, dhe i thamë se nëse ju dëshironi të jeni vend kandidat atëherë duhet të hyni në dialog me Kosovën.Prandaj, ne jemi shumë të qartë me Serbinë sa i përket kësaj çështje”, tha Hague.

Hague, mes tjerash theksoi se në fazën e parë të dialogut, baronesha Catherine Ashton do të indentifikojë çështjet që do të diskutohen, ndërsa shprehu mbështetjen për takimin e javës së kaluar Thaçi – Daciç.

“Dialogu Kosovë – Serbi për normalizim të marrëdhënieve është esencial për dyja vendet për të vazhduar rrugën evropiane. Mbështes fuqishëm takimin e javës së kaluar Thaçi – Daçiç dhe i inkurajoj të gjitha palët që të vazhdojnë këtë rrugë, këto mesazhe do t‘i them edhe në Beograd”, tha Hague.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë para gazetarëve se Kosova është e gatshme të vazhdojë procesin e dialogut, për të cilin është ndërtuar një konsesus i gjerë në Kosovë, dhe se gradualisht kapitulli i konflikteve po përmbyllet dhe po hapet ai Iintegrimeve euro-atlantike.

Kryeministri Thaçi nuk dha afat për mundësinë se kur Serbia do ta njohe shtetin e Kosovës, por pret që Serbia të ketë sjellje europiane, që sipas tij, do të bënte që 5 shtetet e BE-së ta njohin pavarësinë e
Kosovës.

“Nuk duhet të presim që Serbia ta njeh Kosovën në ditët, javët apo muajt e ardhshëm. Por, presim sjellje europiane të Serbisë në raport me Kosovën, dhe ky relacion europian Kosovë –Serbi do të rezultoje me
njohjen edhe të 5 vendëve të BE-së dhe me anëtarësim të Kosovës në OKB”, u shpreh Thaçi.

Kryediplomati britanik ka bërë thirrje për zbatim të kushteve që dërgojnë Kosovën drejt BE-së, e që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuarm korrupsionit dhe përmbushja e të drejtave të komuniteteve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta