
Ministri i Jashtëm britanik, William Hague mbërriti për një vizitë zyrtare në Serbi ditën e enjte ku u prit nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliç.
Gjatë takimit u prek edhe cështja e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Në një komunikatë për mediat nga zyra e presidentit Nikolliç nënvizohet gatishmëria për të ecur përpara në këtë dialog nga ana e Serbisë.
“Serbia hyri në fazën finale të bisedimeve me Kosovën gjatë takimit mes dy kryeministrave, Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçit. Serbia është e gatshme për kompromise historike, por të njëjtën gjë pret edhe nga pala tjetër”, deklaroi presidenti serb duke nënvizuar më pas edhe përpjekjet e Beogradit për ndërmarrjen e të gjithë reformave të nevojshme për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Ndërsa Ministri i Jashtëm britanik shprehu mbështetjen e Londrës për rrugën europiane të Serbisë dhe shtoi se vendi i tij mbetet një ndër mbështetësit e flaktë të zgjerimit të Unionit.
Hague mbërriti në Beograd pas takimeve që zhvilli në Prishtinë me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Gjatë kësaj vizite, kryediplomati britanik deklaroi se kufijtë e Europës nuk do të ndryshojnë më.
Top Channel