Ministri grek i Financave, Yannis Stournaras është shtruar të enjten paradite në spital, bëjnë të ditur radiot lokale në edicionet informative.

Sipas burimeve, ministri ka pasur një gjendje të rëndë ezaurimi fizik dhe gjendje gripi, që i ka shkaktuar edhe temperaturë.

Megjithatë, me kërkesë të tij Stournaras ka lënë spitalin dhe është kthyer në zyrën e tij, ku kishte në program një takim me kryeministrin Andonis Samaras.

Gjendja shëndetësore e ministrit ishte një lajm i keq për financat greke, të cilat ndodhen në gjendje të mjeruar për shkak të krizës ekonomike.

Megjithatë, ditën e mërkurë ishte vetë Stournaras që njoftoi se Greqisë iu dha më shumë kohë për të shlyer borxhet e saj dhe për të realizuar reformat e domosdoshme.

Athina kishte kërkuar më parë dy vite më shumë kohë, për të realizuar shkurtimet buxhetore të vendosura si kusht nga Trojka për akordimin e plotë të të gjithë kësteve të huasë prej 130 miliardë eurosh.

Huatë e trojkës, një treshe që përfshin Bashkimin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, janë ato që po mbajnë ende në këmbë financat helene praktikisht të falimentuara.

”Sot fituam shtyrjen e afatit”, deklaroi ministri i Financave për mediat greke gjatë pasdites, pa specifikuar se sa kohë i është dhënë Athinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA