Gjeorgji, miliarderi pro-rus në krye të vendit

25/10/2012 15:55

Miliarderi gjeorgjian Bidzina Ivanishvili u konfirmua si kryeministri i ri i vendit, tre javë pasi blloku i partive i udhëhequr prej tij arriti një fitore surprizë në zgjedhjet e përgjithshme.

Parlamenti i ish-Republikës Sovjetike miratoi emërimin e tij me 88 vota pro dhe 54 kundër.

Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi se “do të përkushtohet ndaj zhvillimit të institucioneve demokratike dhe mbizotërimin e shtetit ligjor”.

Fitorja e Ivanishvilit konsiderohet si një goditje ndaj sistemit pro-perëndimor të udhëhequr nga Presidenti Mikheil Saakashvili, i cili mban postin më të lartë të shtetit që prej vitit 2004.

Kryeministri i ri ka fituar pasurinë e tij falë lidhjeve të ngushta ekonomike që ka pasur me Moskën dhe disa kompani ruse, prandaj konsiderohet prej ekspertëve si një njeri që do të ndjekë një politikë shumë më të nënshtruar përballë Kremlinit dhe Presidentit Putin.

Si rrjedhojë e kontradiktave në të shkuarën, Rusia pushtoi shkurtimisht Gjeorgjinë në vitin 2008, pas një konflikti për respektimin e të drejtave të pakicave ruse në vend.

Si rrjedhojë e konfliktit, krahinat e populluara me rusë etnikë të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut shpallën pavarësinë nga Gjeorgjia, pavarësi që njihet zyrtarisht vetëm nga Moska.

Pavarësisht mospërfilljes ndërkombëtare të pavarësisë së tyre, krahinat janë virtualisht të pavarura nga Gjeorgjia dhe funksionojnë si krahina brenda Federatës Ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA