
Doganat shqiptare kanë bllokuar dhe me pas asgjesuar rreth 7 mijë
artikuj produktesh të falsifikuara, kryesisht veshje sportive dhe
aksesorë të markave më të njohura ndërkombëtare.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Qazim Merlika thotë se ky është viti i parë që në doganat shqiptare ka patur katër raste të bllokimit të mallrave që vijnë nga Kina dhe India me destinacion tregun shqiptar, për shkak se këto produkte cënojnë të drejtën e pronësisë intelektuale.
“Të gjithë këta artikuj të sekuestruar pasi është ndjekur procedura e plotë ligjore nëpërmjet komuniminim me mbajtësin e të drejtës dhe konfirmimit të tij që këto mallra janë false, janë shkatërruar dhe janë asgjësuar, në bazë të një procedure që nuk cënon ambientin”, tha Qazim Merlika, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Zoti Merlika sqaron se doganat nuk mund të veprojnë për mbrojtjen e produktit autentik, nëse subjektet që e tregtojnë atë nuk paraqesin kërkesën për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
“Nëse ju jeni importues ekskluziv, duhet të merrni një prokurë përfaqësimi nga mbajtësi i së drejtës që e ka regjistruar ndërkombëtarisht sipas marrëveshjes së Madridit, po ku duhet të përfshihet edhe Shqipëria. Mund të aplikoni në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet të gjithë formularëve që janë në faqen e web-it”, tha Merlika.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Doganave, në vitin 2011 ka patur 11 kërkesa për veprim dhe 44 marka të mbrojtura ndërsa këtë vit ka patur 33 kërkesa për veprim dhe 141 marka të mbrojtura.
Top Channel