Rajat Gupta, 63-vjeçar, kishte nxjerrë sekretet e bordit drejt Raj Rajaratnam, një ish-menaxher i fondit, i cili tashmë po vuan dënimin me burg prej 11 vitesh. Gjykatësi Jed Rakoff urdhëroi gjithashtu Guptan të paguajë 5 milionë dollarë gjobë.
Gupta u shpreh se ndjen keqardhje për impaktin e kësaj çështjeje te familja dhe shoqëria e tij. Në deklaratën e tij shkruhej: “18 muajt e fundit kanë qenë periudha më sfiduese e jetës time, që kur humba prindërit e mi në adoleshencë”. Më pas ai shton: “Kam humbur reputacionin që kisha krijuar gjatë gjithë jetës time. Verdikti ishte shkatërrimtar”.
Gjatë çështjes gjyqësore, që rezultoi në shpalljen fajtor të Guptas në qershor, juria dëgjoi regjistrimet e bisedave sekrete mes tij dhe Rajaratnam. Gjyqi u fokusua në një telefonatë të bërë drejt Rajaratnam, më 23 shtator 2008, disa minuta pasi Gupta kishte qenë i pranishëm në një konferencë private, ku diskutohej për një investim prej 5 miliardë dollarësh në Goldman Sachs nga kompania “Berkshire Hathaway” e Warren Buffett.
Marrëveshja do të bëhej publike vetëm kur bursa të ishte mbyllur në fund të asaj dite. Sipas regjistrimit të telefonatës, Rajaratnam bleu aksione me vlerë 40 milionë dollarë të Goldman Sachs, vetëm pak momente pas telefonatës, duke fituar kështu rreth 1 milion dollarë.
Gupta, i cili ka lindur në Indi dhe ka studiuar në Harvard, ka shërbyer gjithashtu në bordin drejtues të Procter&Gamble, në fondacionin Rockefeller dhe në fondacionin e Bill e Melinda Gates.
Top Channel