Një person i dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj konsullatës amerikane në Bengazi muajin e kaluar është vrarë në kryeqytetin egjiptian Kajro.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave personi mbeti i vrarë pasi shkëmbeu zjarr me agjentët e sigurisë në lagjen periferike Madinet Nasr. Autoritetet e identifikuan të dyshuarin vetëm me emrin Hazem.
Katër shtetas amerikanë, mes të cilëve ambasadori Christopher Stevens, mbetën të vrarë nga sulmi ndaj konsullatës në Bengazi, që erdhi si pasojë e filmit anti-Islam.
Sipas autoriteteve egjiptiane, i dyshuari ishte bllokuar në një apartament në lagjen Madinet Nasr të mërkurën. Ai hodhi një bombë ndaj forcave të sigurisë, por ajo u kthye në apartamentin e tij.
Një shkëmbim zjarri nisi mes palëve dhe zgjati për disa orë. Më pas, trupi i djegur i të dyshuarit u gjet brenda pronës, bashkë me armë, municione dhe eksploziv.
Zona u izolua nga policia teksa shërbimet e emergjencës kujdeseshin për të vënë nën kontroll një zjarr, që kishte rënë si pasojë e të shtënave të vazhdueshme.
Shërbimet e emergjencës gjithashtu shpëtuan disa banorë nga ndërtesa në flakë duke përdorur shkallë hidraulike, kanë njoftuar mediat lokale.
Një nga opsionet është që i dyshuar ishte duke u përpjekur të shkonte në gadishullin e Sinait, që është bërë një magnet për militantët nga mbarë rajoni i Lindjes së Mesme.
Top Channel