Rama me bujqit e Malësisë së Madhe

24/10/2012 20:10

Në vijim të takimeve me fermerë dhe bujq në të gjithë vendin, kryetari i opozitës Edi Rama ishte në Stërbeq të Malësisë së Madhe. Ashtu si edhe në zona të tjera, edhe këtu shqetësimet janë të njëjta, kosto e papërballueshme e prodhimit.

Të njëjtin shqetësim për çmimin e lartë të karburantit, plehrave kimike dhe mosfunksionimin e kanaleve ujitëse shprehën edhe fermerë të tjerë në takimin me kreun e opozitës.

Ata thanë se nuk kanë asnjë ndihmë nga shteti dhe asnjë politikë mbrojtëse prej tij, duke bërë që prodhimet e tyre të shiten nën kosto. Një prej fermerëve nuk shkoi më larg se Mali i Zi kur mori shembullin sesi shteti mbron prodhuesin.

“Fshati është lënë jetim dhe blegtoria është krejtësisht pa asnjë lloj mbështetjeje dhe mbrojtjeje”, deklaroi Rama.

Por fermerët e kësaj zone denoncuan edhe një tjetër praktikë të Ministrisë së Bujqësisë. Përcaktimin që kjo e fundit iu bën atyre për llojin e prodhimeve bujqësore që ata duhet të mbjellin, duke i çuar në falimentim.

“Vijnë të komanduara se çfarë duhet të mbjellësh. Janë mbjellë arra në një zonë ku s’mbillen, janë mbjellë ullinj në një zonë të thatë dhe s’ka dalë asgjë”, denoncoi një prej bujqve.

“Të ndërtohet një hartë e realizimit të prodhimit dhe territori i Shqipërisë të shihet si territori i prodhimit në kompleks”, sugjeroi kreu i PS.

Me kërkesë të një grupi investitorësh, Rama, i shoqëruar nga deputeti i zonës Paulin Sterkaj dhe sekretari për programin Ilir Beqja, u ndal në Kosanë, ku aktualisht është duke u zhvilluar aktiviteti ekonomik i kultivimit të sherebelës, nisur nga kërkesat e larta të tregut të huaj.

Në bisedë me ta, Rama ironizoi edhe deklaratën e ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, sipas të cilit fermeri shqiptar sot fiton 20  mijë dollarë për hektar. “I vetmi vend ku mund të fitosh 20 mijë dollarë është këtu, por në vend tjetër njerëzit mezi nxjerrin bukën e gojës”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA