Presidenti Bujar Nishani thërret tryezën e parë të partive parlamentare në datën 5 nëntor.
Në një njoftim për shtyp të Presidencës thuhet se, kreu i shtetit do të bisedojë dhe do të konsultohet me krerët e partive parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Një ditë më parë koalicioni i vëzhguesve vendorë i kërkoi presidentit Nishani që në zbatim të Nenit 9 të Kodit Zgjedhor, të marrë në shqyrtim dhe të dekretojë sa më parë datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Po ashtu, koalicioni i bëri thirrje anëtarëve të rinj të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të mblidhen sa më parë për t’i paraprirë në kohë detyrimeve dhe afateve që parashikon ligji zgjedhor.
Koalicioni tërheq vëmendjen në veçanti në lidhje me marrjen sa më parë të masave për realizimin e teknologjisë së re informative në zgjedhjet e 2013-ës, të cilat sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor duhet të kishin filluar jo me vonë se në datën 1 tetor 2012.
Top Channel