Rrjeti social online më popullor në botë ka bërë të ditur se të ardhurat
janë rritur me 1.26 miliard dollarë, nga korriku në shtator.
Të ardhurat kanë kaluar pritshmëritë, por performanca e Facebook mbetet me shifra negative, pas humbjeve prej 157 milionë dollarë në tremujorin e kaluar. Aksionet e Facebook kanë rënë me 50%, që prej listimit në bursë në maj.
Kompania po vuan të kthejë dominancën e saj online në përfitueshmëri. Facebook njoftoi se 604 milionë nga 1.01 miliardë përdorues futen në uebsajt duke përdorur aparatet celulare.
“Njerëzit që përdorin produktet tona online janë më të angazhuar, ne besojmë se mund të rrisim besnikërinë ndaj nesh edhe më tepër, pasi po vazhdojmë të paraqesim produkte të reja dhe të përmirësojmë platformën tonë”, tha shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg, në një deklaratë.
Reklamimet rriten me 36% – Një njoftim pozitiv për investitorët ishte fakti që të ardhurat nga reklamimet janë rritur me 36%, nga korriku në shtator, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Të ardhurat nga publicitetet nga celularët kanë patur një rritje të theksuar”, tha Arvind Bhatia, një analist i Sterne, Agee & Leach.
Të ardhurat nga celularët, që kapin shifrën e 152,6 milionë dollarëve, përbëjnë 14% të shitjeve të përgjithshme nga reklamat, gjë që sipas analistëve ka plotësuar pritshmëritë. Shefi i financave, David Ebersman, tha se Facebook pati një “performancë të qëndrueshme” në tremujorin e tretë.
Top Channel