Duke folur për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Shqipëri vitin e ardhshëm, si parakusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, udhëheqësi i opozitës Laburiste britanike Ed Miliband tha për Top-Channel në Londër se “zgjedhjet e lira dhe të ndershme  janë një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e të qënit vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe jam i sigurt që në Shqipëri janë të ndërgjegjësuar për këtë fakt si dhe të gjitha vendet potenciale për të qënë kandidate të BE-së”.

“Ne në Britani e marrim procesin e zgjedhjeve demokratike jashtëzakonisht seriozisht dhe kjo vlen për cdo vend anëtar të familjes evropiane”, tha z.Miliband.

Ed Miliband kujtoi me kënaqësi takimin që ka pasur me udhëheqësin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama përpara disa muajsh në Londër. I pyetur për marrëdhëniet e Parties së tij Laburiste me partinë simotër Partinë Socialiste të Shqipërisë, z.Miliband u shpreh për Top-Channel se “ ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Partinë Socialiste dhe forcimi i këtyre marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm për ne”.

“Ne si Laburistë nuk mund të ndërhyjmë në zgjedhjet e një vendi tjetër, pasi nuk mendoj se kjo ndihmon këto vende, por ne i vlerësojmë jashtë mase  marrëdhëniet tona me partinë tonë simotër, Partinë Socialiste të Shqipërisë”, tha Miliband.

“Ne mendojmë se mund t’i thellojmë dhe t’i përmirësojmë këto marrëdhënie, nisur dhe nga prania e fuqishme edhe e komunitetit shqiptar këtu në Britani”, deklaroi Miliband.

Udhëheqësi Laburist britanik i cili drejtoi opozitën britanike shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen edhe pse me një axhende mjaft të ngjeshur politike në vend.

Laburistët britanikë, në opozitë aktualisht, ndodhen afro 10 pikë përpara konservatorëve të Kryeministrit Kameron, sipas sondazheve më të fundit të opinionit publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA