Rreth 60 bluza që mbanin emrat e aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje të arrestuar nga Policia e Kosovës në protestën e një dite më parë, janë vendosur në rrethinat e ndërtesës së qeverisë së Kosovës.
Aktivistë të këtij subjekti kanë mbajtur një protestë paqësore, siç kanë thënë, kundër dhunës së ushtruar nga Policia e Kosovës. Ata kanë kërkuar lirimin e aktivistëve të lëvizjes, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë para të pranishmëve se në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kosova do të duhej të bashkohej me Shqipërinë e jo të bëjë dialog me Serbinë për veriun.
“Kryeministri Thaçi ka filluar dialogun politik që e quan normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në mënyrë që Serbia të avancojë drejt BE-së, ku pritet që të fillojnë negociatat për anëtarësim. Në njërën anë ai po i jep Mitrovicën dhe veriun, ndërsa në anën tjetër po ia bën më të shpejtë dhe më të lëmuar rrugën për të ecur drejt BE-së”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti ka ftuar policët që të mos respektojnë urdhërat, që sipas tij, i instrumentalizojnë ata. Ndërsa kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
“Hashim, liroji personat që janë burgosur nën urdhërin tënd, liroji personat që dikur kanë dhënë familjen për UÇK-në, liroji personat nga të cilët ke marrë armët për të luftuar”, ka thënë Selimi.
Pas dy orë protestë, aktivistët e Vetëvendosjes janë shpërndarë të qetë, ndërsa kanë paralajmëruar edhe protesta tjera për të kundërshtuar dialogun.
Top Channel