Blerësit kryesorë të 180 mijë fuçive të naftës që vidhen çdo ditë në Nigeri gjenden në Ballkan dhe Singapor, deklaroi një politikan që denoncoi skandalin.
Patrik Dele Cole, një prej drejtuesve më të lartë të rajonit të pasur me naftë të deltës së lumit Niger, deklaroi se deri 90% e prodhimit total të naftës nxirret nga vendi në mënyrë të paligjshme, duke siguruar përfitime marramendëse për ata që janë të përfshirë në këtë tregëti “të zezë”.
Cole bëri thirrje që kjo praktikë të ndërpritet menjëherë, ndërsa akuzoi shprehimisht katër vende, Ukrainën, Serbinë, Bullgarinë dhe Singaporin, si “kokat kryesore” të drejtimit të mafies së karburanteve.
“Mendoj se në momentin që do t’i shtrojmë pyetje vetes për atë që po ndodh, atëherë do të kemi zgjidhur gjysmën e problemit. Duhet t’i dërgojmë sinjale atyre personave që po nxjerrin pasuri të pabesueshme, në kurriz të popullit nigerian”, denoncoi Cole.
“I gjithë sektori i naftës është i përfshirë nga korrupsioni, ndërsa shumë politikanë janë të përfshirë. Për ta, kjo është mënyra më e mirë për të siguruar fonde, të cilat përdoren më pas për të blerë votat në zgjedhje”.
Nigeria është një prej prodhuesve kryesorë të naftës në botë, por pavarësisht kësaj, shumica e popullsisë prej 140 milionë banorësh së vendit afrikan jeton në varfëri absolute apo relative.
Top Channel