
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga lëvizja Vetëvendosje dhe
lideri i saj që të jenë më të përgjegjshëm për veprimet që kryejnë dhe
që shqetësimet rreth zhvillimeve të caktuara politike lë t’i përcjellin
në Parlament përmes debatit dhe jo në rrugë e në mënyrë të dhunshme.
Duke folur në një konferencë për media, një ditë pas protestës në Prishtinë, ku Vetëvendosje u përplas me policinë, duke shkaktuar tension dhe të lënduar, Thaçi u shpreh se kjo ngjarje e ka tronditur atë thellë.
“Nuk është hera e parë që debatet e humbura në Parlament synojnë të zhvendosen në rrugë. Përveç interesave elektorale duhet të kemi parasysh përgjegjësinë për të ardhmen e vendit dhe fëmijëve tanë. Ju ftoj të tregojmë maturi, për sjellje të përgjegjshme dhe dashuri ndaj vendit tonë”, u shpreh Thaçi.
Po ashtu Thaçi deklaroi se në rast se një forcë e caktuar politike kërkon të zhvillojë protestë, për këtë ajo duhet të kërkojë leje dhe policia më pas do të jetë në shërbim për sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit.
Protesta e së hënës erdhi në si reagim pas takimit të kryeministrit Hashim Thaçi me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.
Pas paralajmërimeve për largim, autoritetet e rendit kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën, prej nga janë hedhur gurë, sende të forta dhe ngjyrë në drejtim të Policisë së Kosovës.
Ndër të arrestuarit e që me pas u lirua ishte deputeti Liburn Aliu dhe kryetari Albin Kurti. Policia sqaroi për opinionin publik se protesta nuk ka qenë e lajmëruar dhe se aktivistët në mënyrë të dhunshme kanë tentuar të hyjnë në objektet shtetërore. Ndërsa Vetëvendosje publikoi foto të deputetit Aliu të lënduar.
Top Channel