Numri dy i misionit EULEX, Andrew Sparkes ka deklaruar se takimi Thaçi-Daçiç duhet të shërbejë për të tërhequr vëmendjen mbi situatën në veri të Kosovës.

Në një konferencë të zhvilluar të martën në Prishtinë, Sparkes e ka vënë sërish theksin tek nevoja për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në këtë zonë.

“Besoj se proçesi i takimeve që nisi me takimin e kryeministrave Thaçi dhe Daçiç mund të sjellë fryte në normalizimin e marrëdhënieve. Ky normalizim duhet të dalë nga ulja e tensioneve dhe vendosja e rendit në veri”, ka thënë Sparkes.

Sipas “REL”, ai ka theksuar se, nuk është normale që Serbia të ketë operativë klandestinë dhe kriminalë në këtë zonë të Kosovës, edhe nëse i referohemi rezolutës 1244, që parashikon një qëndrim neutral ndaj statusit.

Megjithatë, Sparkes ka nënvizuar më tej se, edhe pas normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, për Kosovën do të ketë ende shumë sfida përsa i përket proçesit të integrimit evropian.

“Edhe nëse Kosova s’do të kishte fare probleme me fqinjët e saj, do të mbeteshin ende shumë sfida për të arritur standardet e duhura”, ka thënë Sparkes.

Ai ka shtuar se, rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përmirësimi i situatës në sistemin e drejtësisë janë jetike që Kosova fillimisht të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Diplomati britanik i ka bërë thirrje qeverisë së Prishtinës që të krijojë një strategji të re anti-korrupsion dhe që të përcaktojë qartë këtë dukuri në legjislacionin vendor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA