Raporti i BB, Shqiperia humbet tre vende

23/10/2012 00:00

Banka Botërore vëren se reformat për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri janë ngadalësuar.

Raporti, ‘Të bësh biznes 2013’, që mbulon periudhën nga 1 qershor i vitit të kaluar deri në 1 qershorin e këtij viti, e rendit Shqipërinë të 85 në renditjen e përgjithshme globale nga 185 ekonomi të marra në shqyrtim.

Një vit më parë Shqipëria mbante vendin e 82. Përgjatë periudhës së marrë në shqyrtim, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë dy reforma për përmirësimin e klimës së biznesit. E para është ajo e lehtësimit të procedurave për hapjen e një biznesi duke e bërë noterizimin e dokumentave të themelimit të ndërmarrjeve opsionale.

Reforma e dytë lidhet me pagesën e taksave përmes disa hapave të ndërmarrë që inkurajojnë pagimin elektronik të tyre. Por këto dy masa nuk kanë mjaftuar për të mbajtur të njëtin ritëm reformash me vendet e tjera duke bërë që Shqipëria sërish të humbasë tre vende.

Klima e biznesit në Shqipëri penalizohet, sipas raportit, nga problemet me lejet e ndërtimit, aksesi në energji elektrike i sipërmarrjeve dhe pagesa e taksave për të cilat Shqipëria renditet respektivisht në vendin e 185, atë të 154 dhe 160.

Në vitin 2008 Shqipëria u shpall nga Banka Botërore një nga dhjetë ekonomitë më reformatore në botë për klimën e biznesit. Një paketë masash që përfshinte thjeshtimin e procedurave tatimore, lehtësimin e hapjes së një biznesi dhe rritjen e mbrojtjes ndaj investitorëve përmirësuan renditjen e Shqipërisë nga vendi i 135 në atë të 86-in brenda një viti të vetëm. Por që pas 2008-ës reformat për të lehtësuar biznesin dhe thjeshtuar burokracitë duket se kanë hyrë në ngërç.

Top Channel