
Përfaqësuesit e shoqatave më të mëdha të biznesit ankohen njëzëri se
administrata tatimore ka nisur një fushatë të gjerë represioni përmes
vendosjes së gjobave masive.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë përfaqëson shqetësimet e mbi 200 anëtarëve, të cilët na kanë prezantuar ne si një çështje serioze klimën aktuale në mbledhjen e taksave. Anëtarët tanë ndjejnë se ka një keqinterpretim të Ligjeve Tatimore dhe në fakt mund të ketë edhe abuzime nga inspektorët e Tatimeve që kontrollojnë edhe regjistrimet e viteve të mëparshme tatimore”, u shpreh David Anderson, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
“Përveçse se kontrolleve rutinore normale ka një tendencë për të gjobitur sipërmarrjet private. Duke qenë se përgjithësisht taksat në Shqipëri janë të ulëta, na duket sikur kjo fushatë rrit në mënyrë reale taksat e biznesit. Pra, taksa të ulëta dhe gjoba të larta. Kjo nuk është normale”, tha Luan Bregasi, nga Biznes Albania.
Edhe Nikolin Jaka, qe drejton Dhomën e Tregtise se Tiranes kerkon thotë se problemi kryesor nuk është sistemi fiskal po administrimi i tij, që e lë biznesit të pambrojtur ndaj abuzimit të tatimorëve.
“Duke vlerësuar sistemin fiskal që sot është në Shqipëri me taksën e sheshtë kemi kërkuar përmirësimin e sistemit të administrimit fiskal, pasi në përgjithësi precedencat janë që administrata tatimore dhe doganore operojnë nëpërmjet vendosjes së gjobave,apo penaliteteve mbase edhe më të ashpra nga ato që parashikon ligji”, tha jaka.
Gjobat e vendosura edhe në rast se janë të padrejta kanë pasoja jo të vogla financiare për biznesin
“Për ta ankimuar këtë gjobë duhet të paguash afërsisht gjysmën e detyrimit, gjysmën e gjobës, cka e rëndon në mënyrë artificiale koston e sipërmarrjes private”, thotë Bregasi.
Marrëdhëniet mes administratës dhe biznesit duken të rënduara. Presidenti i Dhomës Amerikane thotë madje se po krijohet perceptimi i një klime jomiqësore.
“Sipas deklaratave dhe dëshmive që kemi nga anëtarët tanë ata jane te shqetësuar se politikat tatimore nuk jane te ndershme dhe po i vendosin ne veshtiresi financiare. Ndaj eshte shume e rendesishme qe te kemi dialog me administraten dhe te arrijme ne nje zgjidhje”, u shpreh Anderson.
Pak ditë më parë në Parlament opozita i kërkoi qeverisë të ndalë represionin tatimor ndaj bizneseve duke akuzuar se Drejtori i Tatimeve ka dalë jashtë kontrollit të Ministrisë së Financave.
Top Channel