Vizita e ministrit serb, AK protestë në Rinas

22/10/2012 00:00

Aleanca Kuqezi e ka pritur ministrin e Jashtëm serb Ivan Mrkiç në aeroportin Nënë Tereza duke protestuar. Për të shmangur një përballje me aktivistët e AK, protokolli është kujdesur që delegacioni serb të mos dilte nga dalja VIP, nga ku lëvizin zakonisht personalitet e huaja që vizitojnë vëndin tonë.

Është përdorur një dalje tjetër e aroportit nga ku eskorta nën masa të forta sigurie dhe me shpejtësi të lartë është larguar në drejtim të Tiranës.

Gjatë paradites së të hënës Aleanca Kuqëzi tha se shtete të ndryshme europiane janë duke mbajtur një qëndrim të kushtëzuar me Serbinë ndërsa Tirana zyrtare i hap dyert.

“Kemi më shumë se 12 vjet nga qeverisja socialiste dhe ajo demokratike që aplikohet teza se Republika e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë zhvillojnë marrëdhëniet bilaterale pa u kushtëzuar nga qëndrimi serb ndaj Kosovës. Informojmë opinionin publik se shtete shumë demokratike si Gjermania, Britania, Italia, Austria, madje edhe institucione të BE-së e kanë kushtëzuar në mënyrë strikte dhe të përsëritur integrimin e mëtejshëm të Serbisë vetëm me njohjen e pavarsisë së Kosovës. Këtë nuk e bën vetëm politika e jashtëme dhe diplomacia shqiptare”, deklaroi përfaqësuesi i AK, Lisien Bashkurti.

Mrkiç: Në Tiranë për bashkëpunim

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkiç mbërriti në Tiranë rreth orës 14:15 minuta të së hënës, për të zhvilluar një vizitë dy ditore, e para e një ministri të jashtëm serb pas shumë vitesh.

Mrkiç do t’i nisë takimet me homologun e tij Panariti paraditen e së martës, për të vijuar me kryeministrin Sali Berisha.

Vizita, sipas një njoftim për shtyp të Ministrisë së Jashtme shqiptare, zhvillohet në vijim të takimit që dy ministrat zhvilluan në Nju Jork, ku u ra dakord për ripërtëritjen e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe për shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve.

Ndërsa vetë ministri serb, Ivan Mrkiç ka thënë se vizita e tij në Tiranë ka një rëndësi të veçantë për ripërtëritjen e marrëdhënieve në rajon.

Kjo, ka thënë ai në një deklaratë për shtyp, është në interesin e Serbisë pasi deri më tani ka pasur konsultime të ndryshme me homologë të shumë vendeve të rajonit, duke shtuar se Serbia është e interesuar për marrëdhënie të mira.

“Në Tiranë prej kohësh nuk ka qenë ministri i Jashtëm serb dhe kjo është një vizitë në kuadër të turneut tim ballkanik. Shpresojmë që do të krijojmë baza për një bashkëpunim më të mirë”, ka thënë ministri serb.

Mrkiç është një diplomat karriere prej dekadash në Ministrinë e Jashtme, ndërkohë që ka qenë i njohur për publikun vetëm në kohën kur ka qenë ambasador në Qipro, pasi përflitej se kishte ndihmuar në fshehjen e parave të zhdukura nga bankat jugosllave gjatë viteve ‘90 apo edhe pastrimit të parave.

Zyrtarët serbë kanë premtuar vizita në Tiranë, por kryesisht ato janë shmangur. Ish-presidenti Boris Tadiç disa herë është ftuar dhe përkundër konfirmimeve, ai nuk ka qenë si president shteti në vizitë zyrtarë në Shqipëri.

Top Channel