Pak para orës tetë të mëngjesit, kur fillon orari zyrtar i punës në qeverinë e Kosovës, aktivistë të Vetëvendosjes u nisën drejt ndërtesës kryesore të qeverisë. Qëllimi sipas tyre ishte për të bllokuar punën e saj, për shkak se nuk mund të jetë një ditë normale e punës pas takimit të kryeministrit Hashim Thaçi me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.

Pas paralajmërimeve për largim, autoritetet e rendit kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën, prej nga janë hedhur gurë, sende të forta dhe ngjyrë në drejtim të Policisë së Kosovës.

Ndër të arrestuarit e që me pas u lirua ishte deputeti Liburn Aliu dhe kryetari Albin Kurti. Policia sqaroi për opinionin publik se protesta nuk ka qenë e lajmëruar dhe se aktivistët në mënyrë të dhunshme kanë tentuar të hyjnë në objektet shtetërore. Ndërsa Vetëvendosje publikoi foto të deputetit Aliu të lënduar.

“Ngjarja, e cila në njëfare forme është vazhdimësi e ngjarjeve që nga java e kaluar, është e ngjashme me to për nga metoda, mënyra dhe angazhimi. Por karakteristikë e ditës së sotme është tendenca e befasisë me qëllim sulmin ndaj institucioneve”, deklaroi Naim Rexha, nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Por lëvizja Vetevendosje denoncon faktin se dhjetëra aktivistë të saj janë keqtrajtuar në polici po ashtu dhe se janë rrahur kalimtarë të pafajshëm. Në rastin konkret bëhet fjalë për një shtetase gjermane. E për këtë episod policia e ka një shpjegim, se gruas i ka rënë të fikët dhe kanë qenë policët ata që e kanë ndihmuar.

Ndërkohë, gjatë kësaj ndërhyrjeje njësitet policore kanë shoqëruar deri në orën 16:00 të paktën 63 persona. Dhe po sipas të dhënave policore, 18 prej të lënduarve janë policë dhe 5 aktivistë të Vetëvendosjes.


Ndërkohë që Vetëvendosje thotë se numri është shumë më i madh. Nga kjo lëvizje njoftojnë gjithashtu se protestat kundër bisedimeve me Serbinë do të vazhdojnë të martën, më 23 tetor, duke filluar nga ora 11:00, po në sheshin Nënë Tereza.

Top Channel