Në kohën kur aktiviste të lëvizjes Vetëvendosje protestonin kundër bisedimeve politike me Serbinë dhe në kohën kur sheshi “Nënë Tereza” është shndërruar në arenë përleshje mes protestuesve dhe policisë, kryeministri Hashim Thaci ka zgjedhur që t’i takojë përfaqësuesit e spektrit politik për t’i informuar ata mbi takimin me kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic.
 

Shefi i ezkekutivit kosovar e ka nisur ditën me takimin me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga për të vazhduar me takime të vecanta me liderët e opozitës si dhe kabinetin qeveritar.

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri nuk foli për axhendën e bisedimeve por paralajmëroi një proces të rëndë në të cilin është i përfshirë i gjithë spektri politik përfshirë instittucionin e Kuvendit.
 
Nga takimet e kryeministrit Hashim Thaci këtë të hënë vetëm ai me presidenten Atifete Jahjaga dhe me kabinetin qeveritar kanë qenë të hapura për mediat.

Zyra e presidentes ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se presidentja Atifete Jahjaga i ka ofruar mbështetje të plotë kryeministrit Hashim Thaci dhe qeverisë së tij në procesin e dialogut politik me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet.

Edhe presidentja Jahjaga e sheh dialogun si të vetmen alternative në mënyrë që Kosova të ecë në rrugën e saj euro-atlantike.

Të njejtin qëndrim duket se mban edhe lideri opozitar Isa Mustafa. Në njoftimin e qeverisë për këtë takim thuhet se “Ishte konstatim i përbashkët që të vazhdohet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të krijimit të raporteve ndërshtetërore, të stabilitetit rajonal dhe perspektivës Evropiane”.

Po i njëjti qëndrim vjen edhe nga takimi me nënkryetarin e AAK-së Blerim Shala. Vetë përfaqësuesit e këtyre dy partive politike kanë refuzuar të komentojnë takimet e së hënës me kryeministrin Thaci.

Më tej, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri tha para kabinetit qeveritar se në takimin me kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic është diskutuar shpërbërja e strukturave paralele nga veriu. Duke iu referuar qëndrimit të lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Thaci i quajti të izoluar zërat kundër procesit të dialogut me Serbinë.

Sipas tij janë po ata zëra të cilët kanë kundërshtuar marrëveshjen e Rambujesë, administrimin ndërkombëtar dhe po ata zëra të cilët e priten ftohtë deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi këtë të hënë takoi edhe Ambasadorët e shteteve të Kuintit. Në njoftimin për media thuhet se Kryeministri Thaçi ka ritheksuar se në këtë proces do të sigurojë transparencë maksimale lidhur me procesin e dialogimit dhe se kornizë e platformës së procesit të bisedimeve mbetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës njoftoi se brenda pak ditësh në mbështetje të dialogut Kosova do të vizitohet nga Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Uilliam Hague dhe Serkretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
 

Top Channel