
“Maqedoni, tetor 2012”. Kjo ishte tema e kësaj të hëne në emisionin e përjavshëm “Shqip”, të Rudina Xhungës.
Ndonëse jetojmë kaq pranë, shpesh shohim se njohim kaq pak për fqinjët tanë. Për këtë arsye, për të bërë një panoramë të plotë dhe të gjithëanshme të jetës së maqedonasve, njëkohësisht edhe të qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, në emision ishte i ftuar një prej politikanëve më të mirënjohur maqedonas, Ljubomir Frçkoski, ish-kandidat për President në Maqedoni, ministër dhe tashmë profesor i së drejtës ndërkombëtare.
Përkrah zotit Frçkoski, Arsim Zekolli, ambasador e opinionist, editorialistja Adelina Marku dhe Nazir Rashiti, gazetar, drejtues i emisionit “200” në “Alsat”-in maqedonas, ndihmuan në realizimin e debatit në studio.
Bashkëpunimi Shqipëri-Maqedoni
“Formalisht, bashkëpunimi midis dy vendeve tona është në një nivel të shkëlqyer, në nivel politik ka gjithmonë këmbim komplimentash”, nisi deklaratën e tij zoti Frçkovski. “Por, problemi është që nuk kemi bashkëpunim në çështje thelbësore mes vetes, nuk kemi një qasje të përbashkët të themi për politikën ndaj Greqisë, ndonësë të dy vendet kanë një problem me këtë fqinj. Këmbimi ideve dhe ekspertëve politikë është ende i ulët. Maqedonia ka një problem edhe më të madh në këtë fushë, pasi ne jemi të dekonsumuar nga bllokadat e brendshme të kësaj natyre”.
Problemet e brendshme të Maqedonisë
Sipas ish-kandidatit për President të Maqedonisë, problemet e brendshme të vendit fqinj ndikohen dukshëm nga politika anti-shqiptare dhe etnocentrike që udhëheq kryeministri Nikola Gruevski. Sipas tij, kjo situatë konfliktuale i ka bërë maqedonasit të hutuar edhe në arenën ndërkombëtare. “Në politikën e jashtme, ekziston një mbyllje e çuditshme, një frustim, që duket sikur duan të ndërrojmë emrin, të na mbajnë jashtë NATO-s dhe BE-së. Ky është rezultat i një qeverie maqedonase etnocentrike që tenton të udhëheqë një politikë të tillë në një shoqëri multukulturore. Kjo prish shumë barazpesha në politikën e jashtme dhe të brendshme njëkohësisht. Brenda Maqedonisë, kemi ndarje të theksuar edhe midis vetë maqedonasve, por sidomos tek shqiptarët, të vendosur vazhdimisht nën presion dhe shpesh të poshtëruar. Përsa i përket politikës së jashtme, duket sikur ka një komplot ndërkombëtar ndaj nesh. Megjithatë, problemi i brendshëm është më i theksuari, është ai që rrezikon në mënyrë të përditshme stabilitetin e shoqërisë sonë”, pohoi Frçkoski..
Politika e korruptuar dhe pajtuese e BDI-së
Në vazhdim të intervistës së tij, profesori i së drejtës ndërkombëtare në Shkup, lëshoi akuza të ashpra ndaj partnerit shqiptar të qeverisjes, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe liderit të saj, Ali Ahmetit, për qëndrimet e tyre pajtuese dhe të “korruptuara” përkrag kryeministrit Gruevski. “Shqiptarët janë të befasuar nga mënyra se se BDI ëshë duke reaguar, mbi të gjitha edhe nga mënyra se si ata nuk po reagojnë, ndaj politikës etnocentrike të aleatit të tyre në pushtet. Mbase shqiptarët kanë pritur një sjellje të tillë nga “VMNRO-DPME”, por jo nga përfaqësuesi i tyre në pushtet. Ata konsiderojnë se partia shqiptare sillet në një mënyrë poshtëruese, që e pranon presionin pa reagim dhe nuk mund të sqarojnë përse ekziston kjo politikë. Ali Ahmeti është në një situatë të vështirë, pasi ka një dallim shumë të madh midis mendimeve të tij dhe të bazës shqiptare. Kjo vjen si rrjedhojë e korruptimit të elitave shqiptare, por kjo kërcënon vetë qëndrueshmërinë e shtetit, pasi politika të mëdha të udhëhequra nga Gruevski, bazohen mbi një mbështetje tepër të kufizuar”.
Nacionalizmi në Maqedoni dhe Ballkan
“Mendoj se kjo është një sëmundje, ku më pak e ku më shumë në Ballkan. Pjesërisht për shkak të luftrave të shpërbërjes së Jugosllavisë, Greqia ka arsyet e saj, por mendoj se qendra e këtij rrëfimi është pikërisht Maqedonia, meqë këtu kemi një shoqëri të vërtetë multikulturore, që është ndryshe nga vendet e tjera të rajonit”, nisi debatin për nacionalizmin ish-kandidati për president, Ljubomir Frçkovski. “Konflikti këtu është më i theksuar, prandaj besoj se suksesi jonë në ndërtimin e sistemit politik do të kishte një efekt paqësues dhe stabilizues për të gjithë rajonin. Ne jemi duke përjetuar këtu një revolucion mendimesh mbi identitetin e kombit tonë, që bëhet kryesisht nga pala maqedonase brenda Maqedonisë dhe kjo është duke ngritur pyetje edhe për pakicën shqiptare, që ka qenë përgjithësisht stabile në vend. Nëse shqiptarët do të kishin të respektuara të drejtat e tyre thelbësore, atëherë kjo do të kishte ndihmuar Maqedoninë në një masë mjaft të madhe. Problemi është se grupi politik më i madh i shqiptarëve është korruptuar shumë shpejt, ekziston një elitë e ngushtë që përfiton nga kjo qeverisje. Ndërkohë, kjo gërryen shtetin, duke i dhënë benzinë nacionalizmit, që rrezikon më shumë se çdo komb në rajon vetë Maqedoninë, pasi baza shqiptare është shumë e frustuar”.
Çështja e emrit dhe problemi i identitetit kombëtar maqedonas
Si një ambasador dhe njohës i mirë i çështjeve ndërkombëtare, Arsim Zekolli argumentoi se problemi i emrit është duke u shndërruar në një pengesë madhore për përparimin e vendit dhe integrimin e tij në strukturat Euro-Atlantike. “Emri po lë peng Maqedoninë në integrime. Praktikisht, Maqedonia është anëtare e NATO-s, por nëse zgjidhet kjo çështje do të jetë edhe formalisht. Një çështje shumë e rëndësishme është integrimi në Europë, sepse në qoftë se kjo çështje nuk zgjidhet, Maqedonia mbetet edhe më e bllokuar. Prandaj, kjo i vë shqiptarët e Maqedonisë në presion për të shtyrë proceset përpara dhe duke u kapur në një situatë të caktuar ngërci, mendoj se për çështjen e emrit, shqiptarët mund të kontribuojnë në një mënyrë shumë më innovative”. Për Zekollin, një problem mbetet edhe identiteti. “Shteti ka një emër të caktuar, që mund të bihet dakord, por identiteti është i panegociueshëm, pasi secili vendos çfarë gjuhe i takon, çfarë kombësie bën pjesë”.
Mbi këtë çështje, profesor Frçkoski vlerësoi se “është e rëndësishme që i gjithë faktori shqiptar të bashkëpunojë edhe për çështjen e emrit, ashtu si për çdo çështje. Bashkëpunimi, jo vetëm midis shqiptarëve apo maqedonasve, por në të gjithë rajonin, ka shumë vend për përmirësim. Është e rëndësishme që Maqedonia, nga ana e saj, ta zgjidhë frikën e saj nga bashkëpunimi me shqiptarët. Ne kemi frikë posaçërisht në këtë kontekst të brendshëm dhe kjo stimulohet nga koalicioni qeverisës në mënyrë krejt të çuditshme. Është kjo parti në pushtet që duket se krijon një komplot imagjinar ndaj Maqedonisë. Në këtë kontekst, besoj se Tirana dhe Prishtina duhet të ndikojnë shumë më seriozisht mbi figura si Ali Ahmeti”.
Kufijtë dhe gjendja ekonomike
“Duhet të jetë e qartë për të gjithë që kufijtë kombëtare nuk do të preken. Besoj se zgjidhja për emrin do të vijë gjithpërfshirëse, ku do të jenë të përfshirë edhe dy partitë e mëdha shqiptare në Maqedoni. Anëtarësimi në NATO është i domosdoshëm, jo vetëm për të qetësuar Maqedoninë, por për të qetësuar edhe të gjithë rajonin. Kjo do të lejojë vendin që të përqendrohet tek ekonomia, e cila është duke qëndruar në stanjacion dhe stanjacioni për një ekonomi, sidomos të pazhvilluar, është e barabartë me krizë. Pavarësisht asaj që thuhet, nëse Shqipëria është duke ecur përpara dhe disa vende të tjera të rajonit gjithashtu, vendi ynë është duke qëndruar në vend”, vazhdoi analizën e tij gjithpërfshirëse në studion e “Shqip”-it politikani maqedonas.
“Realpolitika” aktuale në Ballkan
“Kriza europiane dhe ajo greke, bashkuar me zhvendosjen e vëmendjes së BE-së drejt lindjes, bën që rajoni të mos ketë më përparësi në vëmendje dhe kjo sjell një dinamikë të ndryshuar në Maqedoni, pasi ndodh një barazim të ndikimeve brenda vendit, si nga ana e Greqisë, ashtu edhe e Bullgarisë”, deklaroi ambasadori Zekolli. “Nuk do ta shpërfillja edhe ndikimin rumun, ndaj kemi një kthim në një “realpolitikë” të ashpër të viteve 1990, që tashmë dikton edhe qasjen ndaj BE-së. Fatkeqësia ishte se deri kur kishte një cak të përbashkët për rajonin, kishte instrumenta për të harmonizuar ndryshimet, por kjo rrugë për në Bruksel, tashmë është ndikohet nga interesat e fqinjëve”.
Etnonacionalizmi maqedonas dhe lufta ndaj multikulturalizmit
Për editorialisten e njohur shqiptaro-maqedonase, Adelina Marku, etnonacionalizmi maqedonas është shndërruar në një instrument të Shkupit zyrtar. “Dikur, ishin maqedonasit që flisnin për shtetformim dhe përkushtim ndaj një shteti të përbashkët, ndërsa sot janë shqiptarët dhe veçanërisht Ali Ahmeti ai që mbron këtë tezë. Ndërsa maqedonasit ndërrojnë pozicionet në një etnonacionalizëm shumë regresiv”, nisi ekspozimin e panoramës së saj Marku. “Në mendimin tim, etnotizimi i shoqërisë është shndërruar në një strategji politike dhe kjo vjen si rezultat i mosdefinimit të identiteteve brenda vendit, e si rrjedhojë sulmohet multikulturalizmi i shtetit. Ne realisht jemi një shoqëri e tillë, por shumë pak flasin për multikulturalizëm dhe për mënyrën se si mund të formohet ai. Kjo nuk ndodh pasi etnonacionalizmi i vihet kundër demokracisë liberale dhe afirmimit të vlerave kulturore në vend. Etnonacionalizmi si mendësi bëhet edhe më i fuqishëm nëpërmjet instrumentalizmit të frikës. Kthimi i fesë, rritja e papunësisë dhe problemet ekonomike, të shndërruara në çështje politike, janë ato që kërcënojnë stabilitetin dhe vetë Maqedoninë”.
Faktori shqiptar, ndikim në rritje
Pavarësisht problemeve në funksionimin e modelit multikulturor të Maqedonisë, duket se në marrëdhëniet me shtetin dhe përfshirjen e tyre në pozicionet zyrtare, shqiptarët kanë shënuar një rritje të vazhdueshme. “Ekziston një fenomen i qartë tashmë, ai i rritjes së numrit të shqiptarëve në administratë dhe në akseset e fondeve publike. Kjo i vë maqedonasit në një pozicion frike nga shqiptarët”, shpjegoi gazetari i “Alsat”, Nazim Rashidi. “Shqiptarët, gradualisht po pranojnë se mund të kenë akses shumë më të madh në Maqedoni dhe prezenca në administratë këtë po tregon. Kjo prezencë është rritur për shkak të proceseve që janë realizuar në këto dhjetë vjet. Ndryshe nga zoti Frçkoski, nuk i shoh të gjitha fenomenet që ndodhin në Maqedoni në kontekstin aktual, pasi ka fenomene që nuk ndodhin vetëm për shkak të politikës së ditës”.
Tensionet ndëretnike dhe “roli absurd” i shqiptarëve
“Tensioni ndëretnik është krijuar nga partnerët qeveritarë dhe ky është fundi i rrëfimit”, nisi një parantezë të ashpër ish-kandidati për president dhe ish-ministri i Brendshëm dhe i Jashtëm i Maqedonisë, Ljubomir Frçkovski. “Koncepti i rekrutimit, punësimit që është ndër kryesorët të marrëveshejs së Ohrit është i politizuar. Studentët më të mirë shqiptarë nuk mund të punësohen me konkurs, por nëpërmjet përkatësisë partiake. Ne kemi kualitete të shkallës së tretë që hynë në administratë dhe ky është një krim i kësaj politike. Për këtë janë përgjegjëse partitë në pushtet. Ju jap një shembull: Partia qeverisëse, nëpërmjet kryetarit të komunës, bashkon në një klasë disa klasa fillore shqipare. Për hakmarrje, të njëjtën gjë bën edhe kryetari i komunës shqiptare, që bashkon klasat maqedonase në dy komuna të tjera. Do të thotë se luhet “ping-pong” brenda qeverisë, ndërsa ne presim që të analizojmë problemet e përgjithshme me multikulturalizmin? Kriza krijohet nga ata që duhet ta zgjidhin. Përgjegjësia është më e madhe tek maqedonasit, por pajtimi shqiptari, bashkëpunimi i tyre është absurd”.
Në ndërhyrjen e tij në këtë tematikë, duke shprehur pajtim me qëndrimin e Frçkoskit, Zekolli shprehu habi edhe me qëndrimin që mbajnë ndërkombëtare. “Interesi i tyre është që të ketë një stabilitet relativ dhe nuk janë të interesuar për mirëqënien e vërtetë të Maqedonisë. Për ata e rëndësishme është vetëm që shteti të drejtohet në një mënyrë të caktuar, detajet e tjera nuk kanë rëndësi.
“Është pikërisht koncepti shqiptarë dhe maqedonas ai që dëmton vetë shtetin”, theksoi në këtë debat të ndezur Rashidi. “Nëse politikanët maqedonas, vazhdojnë të bëjnë dallimin midis dy etnive kryesore, asnjëherë nuk mund të zhduken këto probleme. Problemi më i madh i shtetit është pikërisht që shqiptarët trajtohen si të tillë dhe jo si nënshtetas maqedonas”.
Por, Frçkoski vazhdoi të këmbëngulë në tezën e tij, të rolit absurd që po luajnë shqiptarët në politikën aktuale. “Rritja e ndikimit të shqiptarëve është diçka e mirë dhe kjo është pjesë e një procesi, por njëherazi, shqiptarët nuk kanë qenë kurrë kaq të poshtëruar sa në këtë pushtet. Në mënyrë direkte, kryeministri thotë që do të vazhdojë me ligjin për mbrojtësit, që kjo që ka ndodhur me shkollat do të ndëshkohet. Marr telefonata nga një fshatar dhe më thotë profesor, a është e vërtetë që kryeministri na ofendon dhe unë prapë do të votoj për të?. Të gjithë shqiptarët e kuptojnë se Gruevski po i poshtëron në mënyrë direkte. Tani shqiptarët e kanë forcën ta rënojnë qeverinë, por shqiptarët janë të shokuar nga kjo mundësi, nuk e besojnë si të mundur, tashmë duket sikur ata thonë: “Ne duhet të kemi kujdes për shtetin maqedonas dhe kjo është absurde. Ahmeti është duke luajtur si një katolik më i madh se vetë papa. Ai thotë do t’i nënshtroj shqiptarët, unë jam ai që do të shpëtoj Maqedoninë dhe kjo është absurde”.
Top Channel