Një emision për të qenë krenarë që jemi shqiptarë

22/10/2012 18:20

Një “talk-show” me flamurtarë. Dhe nuk bëhet fjalë për ekipin e futbollit me të njëjtin emër. As për persona që kanë profesion ngritjen e flamurit në forcat e sigurisë e rendit.

Emisioni “Kush e ngriti flamurin?” është një “talk-show” që sjell personalitete të cilët e kanë lartësuar emrin e Shqipërisë.

Një fitues i shumëfishtë i çmimeve “Guiness”, ishte një prej të ftuarve në serinë e parë të këtij emisioni.

Na mrekullon me fantazinë dhe mjeshtërinë e mozaikeve të tij. Të zakonshmen, materiale si gozhdë, furça, tapa e të tjera objekte që kurrë nuk do i kishim parë me syrin e së bukurës, Strati i shnderron në art sublim.

“Të jesh rekordmen në botë sigurisht që të jep kënaqësi, aq më tepër që janë teknika të reja të papërdorura dhe kënaqësia është e dyfishtë sepse përfaqëson edhe Shqipërinë, por edhe një teknikë të re në fushën e artit”, shprehet Strati.

Ymer Pampuri: një emër legjendar i cirkut e vecanërisht peshëngritjes shqiptare, i cili i solli vendit disa medalje dhe një rekord botëror, ishte një tjetër midis të ftuarve.

Para nisjes për në Lojrat Olimpike të Mynihut, askush nuk e kishte besuar mëtimin e Pampurit se do sillte një medalje. Për pak e morën për të marrë. Mirëpo i talentuari dhe i sigurti djalosh 28-vjeçar, asokohe,  jo vetëm solli medaljen e artë, por theu edhe një rekord botëror.

Mjeshtrit i ka mbetur megjithate një peng: “Desha të bëj një thirrje, kam aq kohë që kërkoj titullin “Nderi i Kombit” dhe nuk ma japin. Nuk e di se ku ka mbetur ky problem”, shprehet Pampuri.

Me diferencë moshe dhe përvojash nga Ymer Pampuri, një tjetër flamurtar: Erald Dervishi. i ri në moshë, i pasur në arritje.

Fusha bardhë e zi e shahut, ushtritë, mbretëresha dhe mbreti – përbëjnë universin profesional të Eraldit. Një djalë që optimizmin e përcjell me fisnikëri tek publiku.

“Ekziston një problematikë e gjerë në Shqipëri, nuk është vetëm problematikë sportive, por edhe sociale në të gjitha fushat. Megjithatë, në ato pak mundësi që kishte për të mbështetur shteti shqiptar, unë jam ndierë i përkëdhelur”, deklaroi Dervishi.

Autori i programit, Nurellari: Ngjallim krenarinë kombëtare

Në studion e emisionit të “Pasdites”, në “Top-Channel”, autori i “Kush e ngriti flamurin?”, Adri Nurellari, shpjegoi se qëllimet e shumëfishta të këtij cikli të rrallë emisionesh.

“Ishte një përfshirje e menjëhershme, ajo imja me këtë emisioni dhe që në start mendova si mund të evolohej ideja”, nisi deklarimin e tij Nurellari.

“Momenti që ne po jetojmë është historik dhe i rëndësishëm dhe mua m’u duk sikur m’u dha një mundësi, që nëpërmjet një kontributi modest, të bëja pjesën time. Një prej elementeve kryesore të këtij emisioni është ai frymëzuesi, një element që shpesh mungon në mediat tona, ku shpesh personazhet negativë dhe famëkeqë zënë shumë më tepër hapësirë”.

I pyetur për mënyrën se si përzgjidhen personazhet, autori i këtij programi shtoi: “Ka një dozë subjektiviteti, por jo mungesë vullneti. Ne gërmojnë dhe gjejmë ku të mundemi personazhe, duke pasur parasysh disa elemente. Në emisionin e ardhshëm do të kemi mbajtës të tjerë medaljesh dhe persona me arritje në nivel ndërkombëtar, ky është pra kushti i domosdoshëm, të ketë ngritur lart flamurin në arenën ndërkombëtare”.

I pyetur për mënyrën se si reagojnë personazhet e famshëm, që ftohen në këtë cikël emisionesh, Nurellari zbuloi: “Pothuajse të gjithë janëtë ngazëllyer, pavarësisht nga mundësia që kanë për të marrë pjesë apo jo. Këta janë njerëz të mëdhenj, që megjithatë shpesh eklipsohen nga banaliteti i jetës sonë, i uzurpuar shpesh nga politika dhe konfliktet momentale. Ky është qëllimi i parë, që të rikthejmë në vëmendje këta personazhe, me dëshirën që të nxjerrim modele të reja në shoqëri. Ne i ofrojmë gjethe dafine njëkohësisht për t’i inkurajuar për punën që janë duke bërë dhe për t’i treguar se popullit shqiptar është krenar ndaj arritjeve të tyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA