Një gjykatës kosovar është dënuar me 10 vjet burg nga një trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarë vendas dhe ndërkombëtarë, për një seri akuzash të rënda.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, gjyqtari Kolë Puka është shpallur fajtor për dhënien e vendimeve të paligjshme, abuzim me anë të detyrës, pastrim parash dhe mashtrim.

Përveç dënimit me 10 vjet burg, atij gjithashtu iu ndalua ushtrimi i detyrës dhe funksioneve të tjera publike për 3 vjet pas shlyerjes së burgimit.

“Gjykata vërtetoi se Kolë Puka ka mashtruar Kompaninë e Sigurimeve të Kosovës për 1.2 milionë euro, duke plotësuar vendime të falsifikuara për kompensim, në emër të më shumë se njëzet palëve, që gjoja kishin pësuar aksidente para luftës”, thuhet në një njoftim për shtyp të misionit EULEX.

Sipas njoftimit, palët e dëmtuara nuk ishin në dijeni që këto vendime ishin plotësuar në emrin e tyre dhe ata kurrë nuk i kishin pranuar paratë e paguara nga Kompania.

Trupi gjykues që ka dhënë vendimin ka urdhëruar gjithashtu nisjen e proçedurave për konfiskimin e pasurive të akumuluara nga pastrimi i parave.

Ndërkohë, dy të pandehur të tjerë në këtë proçes, të akuzuar për bashkëpunim në aferat e gjyqtarit Puka, janë shpallur të pafajshëm.

Me këtë dënim mund të thuhet me siguri të plotë se Kosova, ndonëse një shtet në fillesat e tij, i ka dhënë një leksion Shqipërisë përsa i përket ndëshkimit të zyrtarëve përgjegjës për korrupsion.

Në Shqipëri vazhdon të dominojë kultura e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive. Pikërisht gjykatat janë ndër institucionet ku ky fenomen negativ është shtrirë dhe problemet e qytetarëve zgjidhen në favor të atyre që ofrojnë ryshfete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA