Emisioni “Fiks Fare” trajtoi në puntatën e së hënës korrespondencën e drejtorit të kombinatit të Poliçanit me përfaqësuesin e një kompanie zvicerane, e liçensuar për tregtimin e armëve.
Në këtë korrespondencë, drejtorit të kombinatit të Poliçanit i kërkohet një sasi e madhe fishekësh kallashnikovi, por jo prodhim rus dhe kinez.
Emisioni investigativ ka treguar letrën që ka mbërritur në adresë të drejtuesit të kombinatit të Poliçanit nga kompania zvicerane, në të cilën bëhej kërkesa e sipërpërmendur.
“Ju lutemi të na siguroni që fishekët të mos jenë prodhim kinez ose rus”, thuhet në letër, e cila hedh poshtë sqarimet e dhëna dy ditë më parë nga vetë drejtori Lulëzim Gjoka.
Në një deklaratë për shtyp të lëshuar ditën e shtunë, zoti Gojka që deklaronte se: “Pretendimi për shitje të paligjshme të fishekëve është absurd dhe proçesi i ripaketimit të municioneve është praktikë normale pune. Ne nuk shesim fishekë që nuk prodhohen nga Kombinati Mekanik i Poliçanit”.
Gjoka thoshte se, në kuadër të shkatërrimit të municioneve të vjetra, uzina bën seleksionimin përpara djegies së tyre, në mënyrë që ato municione të vlefshme të mos shkatërrohen, por të përdoren për qëllime të ndryshme të ushtrisë.
“Data që vendoset në kutitë e reja është data e ripaketimit dhe gjithçka është mëse normale”, thoshte drejtori i uzinës së Poliçanit në këtë deklaratë, ku shtonte se nuk mund të ndryshohet kurrë data e prodhimit të fishekëve.
“Sepse ajo është e stampuar në mënyrë teknologjike, në mënyrë të patjetërsuar në fundin e gezhojës së çdo fisheku. Po ashtu, pasi bëhet seleksionimi i fishekëve bëhet ripaketimi dhe tërë kjo dinamikë është shumë transparente dhe brenda të gjitha ligjeve dhe udhëzimeve. Mbi arkat me fishekë të rregullt shënohet mbishkrimi i ripaketuar”, vijonte Gjoka.
Top Channel