
Kryeministri Sali Berisha nuk tërhiqet nga deklaratat e tij të mëparshme, duke e përcaktuar grevën e urisë së ish të përndjekurve, si
tërësisht me motive politike.
“Kjo është një grevë politike dhe nuk ka aspak të bëjë me kërkesat e ish të përndjekurve politikë, por është në interes për pushtet të një partie të caktuar”, u shpreh Berisha, disa minuta perpara se grevistet te deklaronin mbylljen e saj.
Sipas tij, sa herë që Partia Demokratike ka qenë në pushtet ka dëmshpërblyer në bazë të ligjit ata që u kanë rezistuar burgjeve famëkeqe të kohës së komunizmit, ashtu sikurse edhe familjarëve të viktimave të atij regjimi.
Ndërsa përsa i përket zhvillimeve integruese të Shqipërisë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se shpreson që tre ligjet që kërkohen nga Komisioni Europian, të miratohen nga Parlamenti shqiptar brenda afatit. Berisha tha se përgjegjësia për kalimin e tyre varet nga kreu i opozitës, nëse do të zgjedhë bllokimin ose jo.
“Qeveria nuk i ka tre të pestat për votimin e tyre, pasi dy prej tyre janë ligje organike. Unë nuk e di se cili do të jetë qëndrimi i opozitës”, u shpreh Berisha. Kryeministri, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologun bullgar Bojko Borisov, u shpreh se maxhoranca ka ofruar konsensusin më të madh të mundshëm brenda kuadrit kushtetues.
Opozita nga ana e saj e ka shprehur qëndrimin e saj paraprakisht per miratimin e ketyre ligjeve te rendesishme, duke kërkuar më parë zgjidhje të çështjes së qarkut të Fierit.
Top Channel