
Kryeministri Sali Berisha, nga Gosa e Kavajës, premtoi zhvillimin e bujqësisë në vitet që do të vijnë duke e barazuar me nivelet europiane.
Gjatë inspektimit të plantacioneve të ullirit në këtë komunë, subvencinonuar nga qeveria, Zoti Berisha tha se përkundër alternativës së zhvillimit që mazhoranca ofron është alternativa e Edi Ramës, të cilin e etiketoi “akuzator”.
“Ne mbjellim ullinj, shoku akuzon; ne ndërtojmë shkolla, shoku turfullon dhe akuzon; ne ndërtojmë rrugë, qahet dhe akuzon; ne ndërtojmë kanalizime e ujëslljellësa, dëshpërohet dhe akuzon, akuzon dhe vetëm akuzon. Nuk di çfarë thotë. Atëherë cila është përgjigja jonë. Përgjigja jonë është: shoku akuzator, vazhdo akuzat, ne do vazhdojmë veprat, do vazhdojmë punën, do të mbjellim ullinj, do ndërtojmë rrugë, do ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë kanalizime, do të ndërtojmë ujësjellësa”, u shpreh Berisha.
Në vijim të kësaj deklarate, kryeministri Berisha bëri edhe këtë ftesë për kundërshtarin politik: “E ftoj të vijë në këto kodra të marrë dhe penelin e tij, tek e fundit të bëjë edhe ndonjë pikturë që edhe po nuk iu shit të paktën të nxjerrë një mësim, respektin ndaj njerëzve punëtorë, ndaj atyre që kanë guxim të investojnë edhe këtu dhe të arrijnë rezultate si këto.”
Duke theksuar se gjatë këtyre viteve qeveria ka subvencionuar rreth 9 mijë hektarë ullinj në mbarë vendin dhe se 30 mijë hektarë ullinj janë mbjellë së bashku me ato që ka subvencionuar qeveria, kryeministri i garantoi ata se në vitet që vijnë fondet do të dy dhe trefishohen. Ndërsa në këto mandate të qeverisjes investimet kanë shkuar për rrugë dhe shkolla, në vitet e ardhshme, tha kryeministri, do të jenë vitet e investimeve në bujqësi.
Top Channel