
Tre nenet e kontestuara nga mediat dhe shoqëria civile përfundimisht janë shfuqizuar nga Kodi Penal i Kosovës, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2013.
Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash ka miratuar projektligjin i cili shfuqizon nenet 37, 38 dhe 39 nga Kodi Penal, i cili ishte miratuar muaj më parë.
Asosiacione vendore e ndërkombëtare të gazetarëve patën kundërshtuar këto nene me arsyetimin se kërkohet zbulimi i burimit të informacionit, si dhe krijohet hapësirë ligjore që gazetarët të akuzohen për vepra penale dhe të burgosen.
Nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, ka shpjeguar se tashmë kjo çështje është vetëm civilo – juridike, që do të thotë se vjen në shprehje vetëm sanksioni në të holla, nëse konstatohet nga gjykata apo Komisioni i Pavarur i Mediave se dikujt i është fyer dinjiteti apo është shpifur në adresë të dikujt.
“Mendoj se me këtë i përmbushëm kërkesat edhe të përfaqësuesve të mediave dhe të shoqërisë civile, njëkohësisht respektuam edhe standardet ndërkombëtare… Ka ikë koha kur në këtë vend janë burgosë gazetarët për punën që kanë bërë. Përfundimisht kjo cështje mbetet civilo-juridike, që dmth në asnjë rast nuk vjen në shprehje sanksioni penal i burgut, por sanksioni civil i pasurisë, përkatësisht i të hollave në rast se konstatohet nga Gjykata kompetente, madje edhe nga Komisioni i Pavarur i Mediave se dikujt i është fy dinjiteti apo se është shpifur në adresë të dikujt”, deklaron Behar Selimi, Nënkryetar i Komisionit për Legjislacion.
Vendimi i Kuvendit të Kosovës është përshëndetur edhe nga Asociacionet e Gazetarëve të Kosovës.
Top Channel