Takimi i së premtes ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Daçiç, po komentohet në mënyra të ndryshme në Kosovë.
Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë gjatë së shtunës se kryeministri Thaçi e ka takuar kryeministrin serb si fitimtar.
“Ky takim ka hapur mundësi bashkëpunimi për dialog, por duke ruajtur Kushtetutën dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Mendoj se kryeministri, që doli fitues në luftën çlirimtare, edhe në këtë takim ka qenë fitimtar ndaj Serbisë. Ne kemi shkuar me kokën lartë atje, jo me kokën ulur”, ka thënë Kuçi.
Në anën tjetër, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se takimi është i natyrshëm, pas miratimit të rezolutës që i jep dritën e gjelbër qeverisë që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë.
“Ne e shohim të arsyeshme për të bërë dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Ka qenë një takim i natyrshëm pasi edhe Kuvendi ka dhënë rezolutën për zhvillimin e dialogut dhe pastaj janë çështjet e tjera që do të diskutohen në Parlament”, ka thënë Mustafa.
Por, për partinë tjetër opozitare Vetëvendosje, takimi i kryeministrit kosovar paraqet nënshtrim ndaj Serbisë pasi temë kryesore e bisedimeve do të jetë veriu i Kosovës dhe statusi i ardhshëm i asaj pjese.
“Thaçi u takua pa asnjë kusht ndaj zëdhënësit të Millosheviçit, që është përgjegjës për shumë krime gjatë luftës në Kosovë. Ky dialog do jetë shumë i dëmshëm për Kosovën, pasi u pa se pjesë e tij do të jetë veriu i Kosovës dhe statusi i kësaj pjese”, ka thënë Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Para disa ditësh Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute i dha dritën e gjelbër qeverisë që të fillojë dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Sipas rezolutës në fjalë, që ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial, rregullimin e brendshëm (rendin unik kushtetues të Kosovës).
Po ashtu, rezoluta detyron qeverinë që të raportojë për proçesin e normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet që dalin nga ky proçes të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.
Top Channel