Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton do të vizitojë Prishtinën në fund të muajit, ku pritet të japë nxitjen e saj për zhvillimin e dialogut me Serbinë.

Një ditë më parë ishte zyrtari i lartë amerikan Philip Reeker që përshëndeti takimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkmimit Evropian me kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës.

Reeker tha se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të mbeten një prej sfidave të së ardhmes në Ballkan, duke vlerësuar se dialogu është e vetmja zgjidhje e saj.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të përfshira në proçesin e përmirësismit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Ato, ashtu si edhe Bashkimi Evropian, po punojnë për të çuar përpara dialogun mes këtyre dy vendeve, që ato të normalizojnë raportet me njera-tjetrën”, theksoi Reeker.

Sipas raportimeve të “KTV”, vizita e shefes së diplomacisë amerikane ishte parashikuar për në fillim të muajit, me rastin e Samitit të Gruas, por nuk u realizua për shkak të axhendës së ngjeshur.

Vizita në fjalë do të jetë e fundit që Clinton kryen jashtë Shteteve të Bashkuara në cilësinë e sekretares së Shtetit, pasi në fund të mandatit të parë të administratës Obama, ajo do të japë dorëheqjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA