Në Bruksel është zhvilluar të premten takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, nën ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Në përfundim të takimit, baronesha Ashton e ka cilësuar atë si pozitiv dhe ka paralajmëruar mbajtjen së shpejti të takimit të radhës me krerët e dy qeverive.

“Kam takuar sot në Bruksel kryeministrat Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi, me qëllim vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Ne u pajtuam që ta vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, të cilat u zotuan për bashkëpunim. Do të takohemi prapë së shpejti”, thuhet në një komunikatë të zyrës së Ashton.

Në dokumentin në fjalë saktësohet se takimi u mundësua pas takimeve të ndara që zonja Ashton zhvilloi në Nju Jork me presidentin serb Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

“Besoj se dialogu është në interesin e të dyja palëve. Qëllimi i tij është të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve, për ta sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, thuhet më tej në deklaratë.

Një ditë më parë, me 68 vota pro, 4 abstenim dhe 3 kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Rezoluta ishte një propozim i Partisë Demokratike të Kosovës dhe në momentin e votimit të saj, të pranishëm në sallë ishin 98 deputetë të Kuvendit.

Thaçi: Të mos mbetemi peng i së shkuarës

Kryeministri Thaçi deklaroi pas takimit se të gjithë e dinë se Serbia ka kryer genocide në Kosovë, por dy vendet tani duhet të ecin përpara e jo të mbeten peng e së shkuarës.

“Ne si liderë nuk mund të udhëhiqemi nga emocionet. Ne të gjithë e dimë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, por duhet të punojmë mbi parimet, standartet dhe vlerat evropianizuese, e mbi të gjitha për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë për fëmijet tanë, që të mos mbesim peng e së kaluarës”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, “ka vullnet të mirë për të vazhduar për normalizimin e këtyre raporteve, për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe mesazhi më i qartë për Serbinë është raporti i Komisionit Europian për respektimin e integritetit territorial të Kosovës edhe nga ana e Serbisë”.

Kryeministri i Kosovës e cilësoi takimin e sotëm si një kapitull të ri për fillimin e normalizmit të marrëdhënieve shtetërore mes dy vendeve dhe sipas tij, për njohjet reciproke të sovranitetit të dy vendeve në të ardhmen.

Jahjaga mirëpret takimin Thaçi-Daçiç

Presidenca e Kosovës ka mirëpritur takimin e zhvilluar sot në Bruksel ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut serb, Ivica Daçiç, në praninë e përfaqësueses së lartë të BE, Catherine Ashton.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes Atifete Jahjaga, e ka vlerësuar si shumë pozitiv faktin që dy kryeministrat janë takuar në nivel të barabartë.

“Ky takim shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe i hap rrugë arritjes së marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë”, ka thënë Vllahiu.

Zëdhënësi ka shtuar gjithashtu se, takimi përbën një hap përpara në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke e vënë theksin tek fqinjësia e mirë, që është një prej kritereve të integrimit evropian.

Reeker vlerëson takimin: Dialogu rruga e vetme

Zyrtari i lartë amerikan Philip Reeker përshëndeti takimin e sotëm të shefes së Politikës së Jashtme të Bashkmimit Evropian me kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës.

Reeker tha se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të mbeten një prej sfidave të së ardhmes në Ballkan, duke vlerësuar se dialogu është e vetmja zgjidhje e saj.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të përfshira në proçesin e përmirësismit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Ato, ashtu si edhe Bashkimi Evropian, po punojnë për të çuar përpara dialogun mes këtyre dy vendeve, që ato të normalizojnë raportet me njera-tjetrën”, theksoi Reeker. 

Vetëvendosje: Thaçi-Daçiç, takimi i turpit

Në një komunikatë për shtyp, lëvizja Vetëvendosje e quan takimin mes Thaçit dhe Daçiç një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe zëdhënësit te Milosheviçit.

“Sot në Bruksel ndodhi takimi i mezipritur mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiçit, trashëgimtarit politik të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ky takim u realizua vetëm 24 orë pas miratimit të rezolutës së turpshme të PDK-së dhe AAK-së, të cilës iu bashkua edhe LDK-ja, për bisedime me Serbinë pa kurfarë kushtesh”, thuhet në reagimin e Vetevendosjes.

Sipas saj, “kjo rezolutë shpreh gatishmërinë e paskrupullt të qeverisë Thaçi për çfarëdo takimi me Daçiç e Nikoliç, pavarësisht të kaluarës shekullore kriminale të Serbisë dhe pavarësisht përpjekjeve konkrete të saj për shkatërrimin e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës përmes financimit dhe urdhërimit të strukturave të saj kriminale brenda shtetit tonë”.

Vetëvendosje shprehet më tej se Bashkimi Evropian po ia shtron Serbisë rrugën e përshpejtuar të integrimeve nëpërmjet qeverisë së shantazhuar e të korruptuar të Kosovës.

“Serbia po e kontrollon skenën politike nëpërmjet kërkesave të saj të forta ndaj Brukselit, të cilat Brukseli, në formë të tërthortë, po i kthen nga Prishtina. Dhe, për të mbetur në pushtet e për të mos i nxjerrë probleme ndërkombëtarëve, kemi kryeministrin Thaçi të gatshëm të pranojë gjithçka e pa asnjë kusht për Serbinë”, thuhet në deklaratë.

“Ky kostelacion i BE-së me Serbinë hegjemoniste dhe me qeverinë tonë të kontrolluar e përplot dosje në sirtaret e huaja, e rrezikon esencën e interesit tonë kombëtar dhe krijon probleme të thella e me pasoja afatgjate”, vlerësohet më tej në të. 

Thaçi-Daçiç, Ministria e Jashtme përshëndet takimin

Edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka përshëndetur takimin midis Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaci dhe Kryeministrit të Republikës së Serbisë, z. Ivica Dacic.

Diplomacia shqiptare vlerëson vazhdimin e dialogut,  në nivel të lartë, si një hap të rëndësishëm dhe në drejtimin e duhur për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për zbatimin e marrëveshjeve të arrituara dhe për zgjidhjen e problemeve praktike që ekzistojnë midis dy vendeve.

Gjithashtu Tirana zyrtare ka përshëndetur edhe rezolutën e Parlamentit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si një shprehje të vullnetit për të shikuar përpara dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe në paqe për të dy vendet dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.
 

Top Channel