Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë pritet të shtrëngojnë duart gjatë
pasdites në Bruksel, në praninë e përfaqësueses së lartë të BE-së,
Catherine Ashton.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, i cili deri më sot përkufizohej rëndom si dialog teknik, një takim i tillë do të shënonte ngritjen formale të dialogut në nivelin më të lartë politik mes dy vendeve, nëpërmjet të të cilit, siç e ka deklaruar në të kaluarën shefja e diplomacisë evropiane, palët do të duhet të ndërmarrin vendime të dhimbshme, në emër të së ardhmes të përbashkët evropiane.

Takimin e parë Catherine Ashton e zhvilloi me kryeministrin serb Ivica Daçiç, për të vijuar më pas në një takim tjetër të veçantë me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin.

Bisedat zhvillohen në selinë e re të Shërbimit të Jashtëm evropian, larg kamerave apo pyetjeve të gazetarëve. Burime pranë zyrës së përfaqësueses së lartë kanë pohuar se gjatë pasdites mund të publikohen disa fotografi nga takimet, si dhe pritet një komunikatë për shtyp nga kabineti i Ashton.Pas takimeve të ndara do të bëhen dhe përpjekjet për takimin e përbashkët. Shtrëngimi i mundshëm i duarve mes këtyre dy kryeministrave do të përbënte një takim historik, kur kemi parasysh, ndër të tjera, të kaluarën e Hashim Thaçit si udhëheqës politik i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, në të njëjtën kohë kur Ivica Daçiç ishte dora e djathtë dhe zëdhënësi i partisë së Sllobodan Millosheviçit.

Top Channel