
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, theksoi se politika shqiptare duhet të marrë shembull nga takimi Daçiç-Thaçi, për të kaluar pengesat në marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat.
Duke folur përpara votimit për kreun e LSI-së, Meta u shpreh se: “Takimi historik, tregoi se dy lidera shtetesh, morën përsipër përgjegjësinë e të qënit lider dhe bënë atë që ishte më e mira për vendin e tyre. Është pikërisht kjo ajo që duhet të bëjë edhe politika shqiptare”.
Ndërsa e cilësoi Shqipërinë si një faktor stabiliteti në vend, Meta apeloi për aprovimin sa më të shpejtë të ligjeve të vendosura si kusht për marrjen e statusit të pakushtëzuar.
Nga ana e tij, sfiduesi i Metës në garën për kreun e partisë, Luan Rama, u përqendrua tek procesi votues i LSI-së, që sipas tij është “i vetmi që zbaton me të vërtetë programin një anëtar një votë në Shqipëri”.
“LSI është një parti e së ardhmes, një parti e sfidave dhe fitoreve të tyre”, theksoi Rama.
Top Channel