Në një komunikatë të qarkulluar mbrëmë vonë, Partia Demokratike e Kosovës, e kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, kërkonte nga Lidhja Demokratike e Kosovës që “të marrë qëndrimin distancues ndaj njerëzve të inkriminuar si Enver Sekiraqa dhe nga lufta politike me fushatat ndaj luftës çlirimtare”.

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron absurde një kërkesë të tillë të PDK-së dhe deklaron se nuk ka pse të distancohet nga pretendime dhe veprime që nuk kanë të bëjnë me të.

“PDK-ja ka gabuar adresë, meqë Enver Sekiraqa nuk ka patur dhe nuk ka asnjë funksion në Lidhjen Demokratike të Kosovës, asnjë lidhje me LDK-në dhe nuk ka folur e nuk flet në emër të LDK-së. Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës i bën publike kyetari i saj, strukturat drejtuese dhe askush tjetër”, thuhet në një reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se PDK-ja, me deklarata të tilla absurde, po përpiqet të largojë vëmendjen nga mosmarrëveshjet e brendshme dhe kaosi që e ka përfshirë.

LDK i bën thirrje PDK-së që të heqë dorë nga manipulimet e kësaj natyre dhe të tregojë seriozitet në raportet me partitë politike dhe në komunikimet publike.

Ish-bosi kosovar i krimit, Enver Sekiraqa, i vetëdorëzuar së fundmi tek policia e misionit EULEX, deklaroi pak ditë më parë për “RTK” se kishte ndihmuar LDK-në në sigurimin e votave në zgjedhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA