Interpelanca për ish të përndjekurit

19/10/2012 00:45

Dy ministrat përgjegjës për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, ai i Financave, Ridvan Bode për herë të parë, dhe ai i Drejtësisë, Eduard Halimi folën për dëmshpërblimin e  ish të përndjekurve në parlament, në një interpelancë të thirrur nga vetë grupi parlamentar demokrat.

Ata konfirmuan shifrat e dëmshpërblimit të plotë dhe pjesor për 11 e 729 ish të përndjekur nga 20 mijë e 589 kërkesa për dëmshpërblim, bazuar në ligjin e 2007 sipas të cilit dëmshpërblimi do të bëhet i ndarë në 8 këste, nga një këst për cdo vit.

“Janë paguar 10 016 dosje për këstin e parë ose mbi 85%, e të gjithë dosjeve të miratuara. 1632 dosje për pagimin e këstit të dytë ose 15 përqind të numrit total të dosjeve. Përse nuk janë paguar të gjithë në këstin e parë? Nuk janë paguar të gjithë sepse ka probleme që lidhen me problemet e vërtetimit të trashëgimisë”, tha ministri i Financave, Bode.  

Ministri Halimi sqaroi përse nga mbi 20 mijë dosje janë shqyrtuar vetëm rreth 11 mijë prej tyre.

“Rreth 1000 kërkesa i përkasin kategorisë së pushkatuarve pa gjyq për të cilët jemi në pritje të paraqijtes së dokumentacionit provues nga aplikantët. Rreth 4000 kërkesa i përkasin kategorisë internim-dëbim për të cilat skema e pensioneve do të miratohet nga Ministria e Financave. Nga 20 mijë, 1600 kërkesa nuk kanë plotësuar kushtet ligjore dhe iu është kthyer përgjigje negative, ndërsa 2000 kërkesa janë paraqitur jashtë afatit”, deklaroi ministri Drejtësisë, Eduard Halimi.

Halimi tha se edhe nga lista prej 11 e 789 ish të përndjekur që i’u është shqyrtuar dosja ka një pjesë që ende nuk janë dëmshpërblyer për të cilët shfrytëzoi rastin t’u apelojë.

Ministri i Drejtësisë u shpreh optimist se deri në fund të vitit, pjesa e mbetur prej rreth 9 mijë dosje të patrajtuara do të jetë përfunduar, pasi qeveria ka ulur përmes një akti tha ai rreptësinë e verifikueshmërisë se dokumentacionit, duke e reduktuar atë në vetëm në një dokument të lëshuar nga komisioni tre palësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA